“Shqipëria buzëqesh”, fushata e vaksinimit në Shqipëri me lulen e verdhë dhe me nusepashkën në qendër të saj, duket se nuk është një projekt e ide origjinale e nisur e krijuar nga qeveria shqiptare. Projekti nga ku është huazuar ideja me lulet pranverore, që simbolizojnë një ringjallje të vendit, pas pushtimit nga Covid-19.
Dhe bëhet fjalë për projektin që ka ideuar arkitekti italian Stefano Boeri. Me kërkesë të Komisionerit Special Italian për emergjencën Covid-19, Domenico Arcuri, arkitekti Stefano Boeri, së bashku me një ekip konsulentësh, ka konceptuar dhe zhvilluar konceptin arkitektonik të fushatës anti-Covid-19, që është instaluar në vendin fqinj.
Organizimi i hapësirave të brendshme të pavijonit që përfshin hapësirat e nevojshme për administrimin e vaksinës, ashtu si edhe ulëset për qytetarët që presin të vaksinohen, ato ku qëndrojnë personat pas vaksinimit, zona e shërbimit për operatorët janë identike me sistemin e krijuar në Shqipëri për fushatën e vaksinimit.
Ndryshimi i vetëm janë lulja që kanë zgjedhur dhe fjalët. Në vendin tonë është zgjedhur lulja e verdhë, ndërsa Italia ka zgjedhur lulen me ngjyrë rozë që sipas Boerit, përçon një simbol të qetësisë dhe rigjenerimit.
Nëse në vendin tonë në stadiumin “Air Albania” shikon të stampuar logon “Shqipëria buzëqesh”, Italia ka fjalët “Italia rilind me një lule”, por projekti është identik.
Arkitekti italian Stefano Boeri nuk është i panjohur për vendin tonë. Ai ka dizenjuar tashmë një Pyll Vertikal për një shumëkatësh në Tiranë, që do të mbushet me bimë dhe lule shumëngjyrëshe. Pylli Vertikal i Tiranës është parashikuar të jetë 21 kate i lartë e do të ketë 105 apartamente, 4 kate nëntokësore dhe dyqane në katin përdhes. Boeri ka ideuar edhe gjelbërimin në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.