MIMOZA E ZAGORIES
Thonë, “bëmë baba të të ngjaj” por për Mimoza Kosturin do thënë edhe “bëmë nënë të të ngjaj”.
Kaq shumë për zemër e ka këngën polifonike e me kaq shumë pasion të flet për të.
Shkollimi në linjën e muzikës klasikes nuk ka mundur dot t’ja largojë jo vetëm dashurinë por edhe pasionin për këngën me iso.
Këngën me avazet e bukura të Sheperit e Zagories së Çajupit.
Por edhe të Tefta Dudës, nënës së saj, këngëtares së famshme të kësaj krahine të njohur për tradita të shquara në shekuj.
Të Teftës që disa dekada më parë me këngën e kurbetit do dridhëronte dynjanë.
Më befasoi kur kohë më parë më kërkoi ti gjeja një Cylë Dyjare. Kontaktoi vetë me Ervinin, djalin e Ferat Bilalajt, mjeshtrit të prodhimit të këtij instrumenti në Gumenicë të Vlorës dhe unë vetëm ja solla sot në Tiranë.
Ka një projekt në kokën e saj, një monofoni që pret ti jap udhë skenash por që Cyla Dyjare do ta ndihmojë me avazin e magjinë e saj.
Dikur ka patur rastin të njihet me këtë instrument popullor tradite në lice falë njeriut që ja dedikon dashurinë për të, mësuesit, Petro Minxha.
Mimoza Kosturi, zagoritja që edhe në mes të kryeqytetit e midis tingujve të orkestrës simfonike të RTSH asnjëherë si ndahet këngës polifonike të tabanit, trashëgimisë shpirtërore të vendlindjes së saj.
E bija e Tefta Dudës së këngës së madhe.