Gratë
Si bebe, ato lindin më pak kilogramë se djemtë,
e ajo peshë sikur u përcakton edhe fatin e nesërm.
Sapo lindin, kanë pronarë,
në fillim të atin, pastaj burrin, në fund birin.
Si masa trupore, e kanë të kufizuar çdo gjë,
të kufizuar të drejtën, veprimin, dashurinë që marrin.
S’kanë asnjëherë shtëpi,
mbiemrin e ndërrojnë sa herë ndërrojnë banesë,
mbjellin jetën, por nuk hedhin rrënjë,
si dallëndyshet shtegtare, era i hedh ku mundet,
pastaj, kur u vijnë stuhitë, përplasen në të tjera anë.
Kur janë fëmijë, ato bëjnë punë grash,
në rini, bëhen si fëmijë, kur ndiejnë se i dashurojnë,
kur janë nëna, në të pesëdhjetat e tyre, bëjnë gjeste vajzash,
(që t’i kujtojnë botës se ende vlejnë)…
jeta ndërkohë u rrëshqet prej duarsh
e rrugët i çojnë në të tjera fluturime
drejt destinacionesh finale.
….
Ato luftojnë për zë,
për t’u bërë të dukshme,
se janë para botës e ajo s’i sheh,
luftojnë të jetojnë,
se bota i vret.
Ato lindën gra
ky qe faji i tyre i parë,
ndoshta më i madhi,
pastaj gabimet ia shtuan vetes që u bënë të bukura,
rrezik joshjeje për mendjet e qeta të burrave,
e vetmja gjë e përligjur e tyre-amësia,
atë ia çmon shoqëria, përveç pjellave të tyre.
…
Se janë gra,
prandaj i kapërcejnë me buzëqeshje fyerjet,
përbuzjet, përçmimet, dhunën mbi to,
madje, edhe kur i vrasin, ato buzëqeshin!
(Majlinda Rama, 2021)