SKULPTURA QË FLASIN ME SYTË E HISTORISË
( Në studion e skulptorit Idriz BALANI )
A ju ka ndodhur që të magjepseni nga aroma e diçkaje, të sillni ndërmend kujtime nga nuhatja e një materiali a të emocionoheni nga prekja e një objekti ?
Këto ndjesi pata në ambjentet e studios të skulptorit Idriz BALANI ,e më saktësisht asaj ku punonte dhe tjetrës që po përgatitet si ‘MUZE’ në zemër të zonës së Plazhit në Durrës.
Më lanë pa fjalë Çertifikatat e Mirënjohjeve,Medaljet e merituara,Dipllomat e Çmimet pafund brenda e jashtë Shqipërisë,Intervistat e mirëorganizuara në gazeta e televizione,saqë u ndala një moment dhe thashë :-“Po çfarë më mbetet të shkruaj më unë për këtë artist?!”
Ama,gjithmonë ka diçka të pathënë për atë që vëzhgon sipas këndvështrimit të vet specifik, ndaj u përpoqa të jem si një statujë figurative mes asaj studioje të ftohtë në dukje,por që nga përtejësimi i kontaktit pamor u ngroh pak e nga pak kur fillova ta gdhend me daltën e kujtesës.
*Goditjen e parë e fiksova duke larguar pluhurin e harresës ,dhe ajo vorbull mjegullnaje spektakolare që u krijua më çoi në botën e statujave dhe…pashë…O Zot,sa sa shumë ! Rreth e qark meje portrete të sportit,artit,personalitete të paqes,pjesëza folklorike,figura fetare,patriotike,heronj e heroina të luftës (në periudha kohore e vende të ndryshme),familjarë (ku spikatnin portretet dinjitoze të prindërve të skulptorit) e njerëz të thjeshtë,si edhe pa anashkaluar nudon artistike ku femra lirike me ato pozat sensuale të jepte një joshje drithëruese .
*Gjëja që vazhdoi të ma ngacmojë grishjen ishte “Aroma e Baltës” (ndryshe nga prirja njerëzore për të na ‘mbytur’ me aroma erëmira në ambjente të mbyllura) që më mahniti me përhapjen e origjinalitetit,saqë natyrshëm më erdhën ndërmend kujtimet për ecjen nëpër baltërat e fëmijërisë,ngjyrave të saj,punëve të vogla artistike që na kërkoheshin në shkollë me këtë bazë materiali, si dhe privilegji që në një pjesëz toke pranë lumit në fshatin ku u rrita afër Fierit gjendej argjilë e pastër,e cila na mundësonte formësim më të saktë të objekteve për shkak të vargëzimit elastik,si dhe një rezultat të kënaqshëm në vlerësim.
*Ama skulptura të tjera prej Allçie më tërhiqnin me shkëlqimin e bardhësisë,saqë dhe figurat e heronjve të përqendruar në seriozitetin e shikimit përpara realizuar mjeshtërisht nga skulptori Idriz Balani, më transmetonin përtej historisë një mirësi në shenjimin e rrudhave luftarake.
*Të tjera të derdhura në Bronx,më krijonin efektin e një ndaljeje sekondare të frymës,me aromën dhe ngjyrën karakteristike.
*Por ishin dhe skulptura prej Mermeri me nuanca të larmishme,që më tërhiqnin njëkohësisht vëmendjen. Sapo solla ndërmend këtë material instiktivisht pata ndjesinë e trishtuar të qivureve në varreza,por ja që përballë meje,duke prekur me delikatesë,nëpërmjet këtij materiali skulptori u jepte një gjallëri unike personazheve të përzgjedhur,si për të shpërfillur frikërat njerëzore në gjetje artistike,duke i bërë përjetësisht të gjallë.
*Por nuk mund të lë pa përmendur edhe Gurin,një material i vështirë për t’u punuar, e që për shkak të kërkesave të pakta realizimet ishin të rralla, por edhe ato pak përçonin një ndjesi të paimagjinueshme.
Më bëri për vete një portret i çiltër vajze
( në gur),dhe vetë autori i kësaj vepre më tregoi që ishte gdhendja e tij e parë në fëmijëri (viti 1966) dhe duke patur një vlerë shpirtërore e ruante me nostagji.Gjatë tërmetit të 26 Nëntorit që goditi fortësisht qytetin e Durrësit e në një masë të madhe dhe zonën ku ai banon,shumë statuja u rrëzuan,disa u dëmtuan,të tjera fatkeqësisht u shkatërruan,por autori ishte shumë i lidhur me këtë portret vajze të vogël prej guri (gjë që kuptohej edhe nga zëri i tij kur dridhej teksa fliste) ndaj me anë të një ngjitësi të fortë (Mastiçit) bashkoi te qafa e statujës dy pjesët e dëmtuara,duke e ribërë art më vete dyhistorësinë që ajo mbarte.
Vërtet! Atë erën e rëndë të mastiçit (me të cilën isha mësuar se më kujtonte duart e babit tim këpucar që e përdorte shpesh ) e përballova pas nuhatjes,sepse i kishte rikthyer buzëqeshjen e stampuar vajzës së gurtë.E jo thjesht një guraleci rruge a gurëzave mozaiku,apo atyre zbukurues e kurativë,por një guri të rëndë me përmasa 28x18x14 cm që mbante peshën e pafajësisë së jetës…
Daltën e fundit të këndvështrimit e ngulita rrufeshëm në përballjen e shikimit të të gjithë personazheve.Një gjetje intelekte e skulptorit ishte” pjesa e syve”, elementi më tipik. Diku normale,diku-diku e theksuar,diku tjetër e paprekur ,e në të tjera e zhdukur qëllimisht që artdashësi të përfytyrojë vetë me sytë e mendjes mistiken,enigmën e panjohur të subjektit në objekt,botën e tij të brendshme në vazhdimësinë e hapjes artistike.Aq shumë zhvillohet perceptimi saqë të krijohet përshtypja që këtyre statujave memecërisht të mençura nuk u duhen sytë për të parë anët e errëta të kësaj bote,pasi përtej ftohtësisë së materialeve përbërëse fshehin në thellësinë e tyre dritësimin e bukurisë së historisë.”
Prandaj skulptorit Idriz Balani,këtij njeriu të përulur e fytyrëskalitur nga stuhitë e jetës, që e sfidon moshën me vrullin e pasionit dhe disiplinën për punën,i dërgoj falënderime të përzemërta përmes fjalëve të këtij shkrimi modest,për kënaqësinë e shijimit të zgjatur të aromave artistike që mora gjatë vizitës miqësore në studion e tij ! Arjola KONDAKÇIU