Me iniciativën e Berlinit dhe Parisit përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë dialogun, që u ndërpre papritmas një vit më parë. Edhe pse arsyet e ndërprerjes janë shmangur, optimizmi është i përmbajtur.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq që të mërkurën (08.07) pasdite, kur iu drejtua qytetarëve të Serbisë, e dinte se kush do të jetë fajtori, nëse shkon në Paris i papërgatitur për të luftuar për të drejtat e serbëve në Kosovë. “Do të nisem për në Paris nesër në mëngjes dhe jo sonte, do të jem më pak i çlodhur për bisedimet me Macronin”, u shpreh Vuçiq duke aluduar për demonstruesit, të cilët me protestat e tyre e lanë pa gjumë natën para vajtjes tek presidenti francez Emanuel Macron.
Ndërprerje e papritur
Udhëtimi për në Paris dy ditë pas kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti i shërbën përgatitjes së ngjarjes kryesore të kësaj jave, video-konferencës dhe takimit të Vuçiqit dhe Hotit në kuadër të iniciativës gjermano-franceze për rinisjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë. Ajo që një vit më parë u ndërpre papritur, kur u anulua takimi Vuçiq-Thaçi në Paris, i cili ishte përcaktuar në fund të prillit në Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, do të mbahet të premten (10.07), me video–link në relacionin Beograd-Prishtinë-Berlin-Paris-Bruksel, me aktorë të tjerë dhe në një botë të tronditur nga pandemia. Fillimisht në formatin Paris-Berlin të premten dhe pastaj në formatin e BE të dielën. Arsyeja kryesore e ndërprerjes, taksa e Kosovës për mallrat serbe, tashmë është hequr, dhe duket se asgjë nuk e pengon vazhdimin e qetë të dialogut.
Ballkani Perëndimor (nuk) është prioritet
Po si është situata një vit pas ndërprerjes të përpjekjeve për të vendosur dialogun? Aktorët janë të njëjtë në të gjitha palët, përveç asaj shqiptare. Vuçiq hyn edhe më i fortë në bisedime, kur është fjala për mbështjetjen parlamentare në vend, ndërsa Merkel, Macron dhe Bashkimi Europian kanë nevojë urgjente për ndonjë sukses në rajon, që të dëshmojnë që me gjithë vështirësitë, që ka shkaktuar kovidi, nuk e kanë harruar këtë pjesë të kontinentit. Kjo është përsëritur vazhdimisht që nga samiti i Zagrebit në fillim të majit, ku Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu premtuan negociatat. Për shkak të pandemisë së koronavirusit edhe prioritetet e presidencës gjermane të BE kanë ndryshuar tërësisht. Është fare e qartë se rajoni i Ballkanit Perëndimor do të luajë një rol sekondar. Këtu nuk ndryshon asgjë as deklarata e ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Maas, i cili gjatë vizitës së të dërguarit të posaçëm të BE për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak para disa ditësh tha se ky rajon “mbetet prioritet”.
T‘ia marrësh frenat Uashingtonit
Nga ana tjetër BE nuk i sheh me sy të mirë perpjekjet e Uashingtonit për t’u përfshirë në këtë proces me metoda jo fort delikate. Brukseli e ka kuptuar se duhet të bëjë urgjentisht diçka për t’ia marrë frenat nga duart Shtëpisë së Bardhë. Iniciativa amerikane, sipas së cilës në fund të qershorit Vuçiq dhe Thaçi duhej të takoheshin në Uashington, dështoi për shkak të ftesës së Thaçit në Hagë. BE-së kjo i ka ardhur si me porosi. I dërguari special i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës Richard Grenell e përshëndeti përmes twitterit iniciativën europiane për vazhdimin e bisedimeve. Duke përvetësuar paraprakisht për SHBA një pjesë të meritës në rast të suksesit të bisedimeve, ai theksoi se sa fort kanë punuar Shtetet e Bashkuara për të vënë theksin te normalizimi ekonomik i dy palëve, sepse siç u shpreh, “ai beson se ky është hapi i parë vendimtar në këtë mosmarrëveshje të gjatë politike”.
„Vështirësitë dhe çështjet afatgjata politike do të zgjidhen më lehtë, kur të arrihen përparime në çështjet ekonomike”, tha Grenell në twitter dhe shtoi se shpreson që edhe çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të zgjidhet.”
Serbia dhe Kosova është çështje e BE-së dhe jo e SHBA-së
Europa e ka vështruar gjithnjë disi me dyshim iniciativën e Uashingtonit, e cila ka pasur në rradhë të parë dimension vetëm ekonomik. Peter Beyer, përfaqësues i Unionit Kristian-Demokrat (CDU) të Angela Merkelit, ish-raportues për marrëdhëniet Serbi-Kosovë në komisionin parlamentar për punët e jashtme dhe aktualisht koordinator i marrëdhënieve transatlantske në Ministrinë e Punëve të Jashtme, nuk e fsheh skepticizmin e tij për atë që ka bërë deri tani Grenell. “Unë e përshëndes rolin e miqve tanë amerikanë, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës. Por si shtete, që gjenden në Europë dhe që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është e qartë që BE udhëheq, kur është fjala për ndjekjen e proceseve politike në përgjithësi dhe veçanërisht të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”, tha Bayer i pyetur nga DW. Që në konferencën e Institutit Aspen në prill, në të cilën mori pjesë edhe Beyer, u tha: „Respekt për marrëveshjet ajrore dhe hekurudhore, por ato nuk mund të zëvendësojnë dialogun politik dhe stabilitetin.”. Beyer vuri në dukje se “vetëm BE mund të realizojë liberalizimin e sistemit të vizave” duke komentuar kështu përzierjen e Grenellit në politikën e BE për vizat.
BE ndoshta mund të marrë frymë më lehtësisht se Grenelli hiperaktiv, tani por edhe në muajt në vazhdim, do të jetë tërësisht i zënë me fushatën zgjedhore, që do t’i duhet mentorit të tij Trump për të qëndruar në pushtet, dhe se nuk do të ketë kohë të merret me marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës.
Këmbimi i territoreve vazhdon të jetë absolutisht “no go” për Berlinin
Një nga çështjet më të rëndësishme, që përshkon prej vitesh procesin e bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës, është edhe zgjidhja e famshme, që përfshin këmbimin e territoreve e për të cilin është dashur të bisedohet në takimin e pambajtur në Uashington para dy ditësh.
I pyetur nga DW, nëse Franca dhe Gjermania (që hyn tek kritikët më të ashpër të kësaj zgjidhjeje) janë të bashkuar në këtë çështje, Beyer u përgjigj indirekt se Berlini dhe Parisi janë në “procesin e një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe shumë të ngushtë për të gjitha çështjet, që lidhen me zhvillimin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor.”
Refuzimi i ashpër i shkëmbimit të territoreve është i njëjti për të gjitha partitë parlamentare gjermane me përjashtim të Alternativës për Gjermaninë (AfD), parti e djathtë nacionaliste. Annalena Baerbock, kryetare e Partisë së Gjelbër, e cila nganjëherë i afrohet në sondazhe unionit qeverisës CDU / CSU, para disa ditësh në një konference mbi Srebrenicën sulmoi përsëri ashpër konceptin e përcaktimit të kufijve në bazë të parimit etnik.
„Ne e dimë se ndryshimi i kufinjve në bazë etnish, për të cilën diskutohet momentalisht mes Serbisë dhe Kosovës, nuk është zgjidhje. Përkundrazi, ai është shumë i rrezikshëm, sidomos për një vend fragjil siç është Bosnja dhe Hercegovina”, u shpreh Baerbock.
Beyer shpreson se vazhdimi i dialogut do të çojë në uljen e tensioneve mes fqinjëve. Por për të është po aq e rëndësishme të ruhet kontinuiteti. “Ajo që na duhet, janë takimet e rregullta. Nuk mund të lejojmë më ndërprerje të reja”, tha Beyer. Ai u bëri apel të dyja palëve që të distancohen nga provokimet reciproke edhe përmes mediave.”