29 March, 2023
  • Login
News Albania
  • KREU
  • Aktualitet
  • Kronikë
  • Politikë
  • Sociale
  • Bota
  • Opinion
  • ShowBiz
  • Shëndetësi
  • Kulturë
No Result
View All Result
News Albania
  • KREU
  • Aktualitet
  • Kronikë
  • Politikë
  • Sociale
  • Bota
  • Opinion
  • ShowBiz
  • Shëndetësi
  • Kulturë
News Albania
No Result
View All Result
Home Uncategorized

Reportazh nga Besim Dybeli: Funari me 17 fshatra,vendosur mbi 7 male!

by News Albania
May 26, 2020
in Uncategorized
0
67
VIEWS
Share on Facebook

Funari me 17 fshatra , vendosur mbi shtatë male

Nga Besim Dybeli

Në Veri të qytetit të Elbasanit, prej shekujsh rrjedh një lum i lashtë, me emrin Zaranikë. Lumi e ka zanafillën lart, nga mali i Gurit të Zi dhe shkrepat e kuq të Cërujës. Rrjedh i rrëmbyeshëm nën këmbët e Brinjës thikë të Braneshit . Zbret si më i qetë buzë fshatit Rrilë e Gurabardh dhe pastaj kalon nëpër Katundin e Ri e Bradashesh, për tu bashkuar me lumin Shkumbin . Në veri të qytetit , aty ku Zaranikës i është ngritur një pritë që nga koha e monizmit, e tani mjaft e dëmtuar nga koha, fillon një hapsirë e gjërë, mes shkëmbinjve të Gracenit e Letanit nga njera anë dhe kodrave të Godoleshit . Mes malit të Gurit të Zi e të Cërujës nga ana tjetër , që shtrihet deri në Korrë e Mollagjesh në kufi me fshatrat e Tiranës, që njihet me emrin e bukur dhe të lashtë Gryka e Zaranikës, e që ngërthen në vetvete 17 fshatra e 7 male. Me pak përjashtime gjeofizike , e tërë kjo zonë piktoreske mbetet në Njësinë Administrative të Funarit. Emri i lumit Zaranikë, etimologjikisht është i shpjegueshëm nga fjala “zare”, guriçkat e bardha, ose gur zalli, , që mbidhen me shumicë nga rrëpirat e malit të Gurit të Zi e shkëmbinjve sipër lagjeve , Arpe dhe Vërri të Cërujës. Zaranika është e dëgjuar edhe për legjendat e betejat e zhvilluara këtu gjatë viteve. E bëjmë rrugën në këmbë. Ecim rrugës së vjetër, që kanë bërë të parët tanë shekuj me radhë. Është bukuri e rrallë të udhëtosh nëpër gurët si zarë të Zaranikës e të thithësh ajrin e pastër , që zbret nga Brinja e Braneshit e të shijosh aromën e ullinjëve e pemëve për rreth. Dhe ne nisemi pa humbur kohë. Shohim buzë Zaranikës , aty ku ngrihet diga e saj , një lagje të re me shtëpi të bukura e me banorë heterogjenë, të ardhur nga të katër anët e vendit , jeta e përditshme e të cilëve pulson nën kërcënimin e vazhdueshëm të vërshimit të këtij lumi. Erdhën nga malet lart dhe këtu në gurët e Zallit ngritën ndërtesat e tyre, se gjetën truallin me çmim të lirë, pa pronar. Truall i thënçin, truall zalli. Është kjo arsye që shpesh herë mes dimrit, apo shirave të rënda të vjeshtës, vërshon Zaranika e përfshin ç’të gjejë përpara, mall e bagëti, prodhime e shtëpi. Nganjëherë edhe jetë njerëzish. Tani , kjo lagje e përfitori legalizimin. Por , përroi i Zaranikës mbetet gjithmonë një rrezik për banorët e banesat e tyre. Tek e fundit , me forcat e natyrës nuk bëhet shaka. Bashkia jo pak fonde ka hedhur për të frenuar Zaranikën e për të mbrojtur jetën e banorëve. X X X

Shkelim nëpër gurët e zallit , duke hedhur vështrimin herë nga fshati Gurabardh e herë nga faqja rrëpirë e Godoleshit. Në rrëzë të saj qëndron si relike e vjetër, por me funksionim edhe sot, Mulliri i Ndreut. Ka mbi 100 vjet që është ngritur dhe ka qenë gjithmonë në shërbim të këtyre malsorëve të varfër . Këtu vinin dikur fshatarët nga Braneshi e Bixëllenja, Rrila e Bashabuni me kafshët e ngarkuara me nga dy thasë të endur me lesh dhije, mbushur me misër e prisnin radhën me orë të tëra për të bluar. Ky mulli shërbeu edhe si strehë për partizanë të plagosur.
, apo për fshehjen e vrasëve që kishin marrë gjakun ndaj hasmitë, këtu gjenin një farë sigurie për disa ditë. Në kohën e monizmit, u ndërtuan në qendër të kooperativave mullinj, që punonin me korent. Por këtij mulliri nuk i humbi vlera asnjëherë. Jo vetëm se ai ishte i lakmueshëm për miellin e ëmbël që nxirrte , siç i thoshin fshatarët, por edhe për faktin tjetër se linjat elektrike kishin defekte të shpeshta, dhe banorët e këtyre anëve i drejtoheshin po këtij mulliri për bluarjen e atij grusht misri që kishin prodhuar. Radhët ishin të gjata, por disiplina, zbatimi i rregullit të vendosur fshatçe, ishte edukatë e secilit. Ndeshemi këtyre anëve me toponime të tilla si Gurabardh, Brinjë e Braneshit, Folonjë, Hurdha e Zezë, Konopere, Rrëpirat e Gjarpërit, dhe mundohemi të nxjerrim diçka nga brendësia e tyre. ”Gurabardhi e ka marrë këtë emër, jo vetëm për faktin, se, sipër shtrihet shkëmbi me gurë të bardhë i Letanit, por ky vend të nxjerr faqebardhë edhe për prodhimet bujqësore e blektorale. Për klimën optimal që ka, këtu prodhohen të gjitha llojet e pemëve frutore, që nga rrushi e hurma, e deri tek ulliri e limoni si dhe çdo perime e gjen këtu, të cilat dalin në një periudhë të hershme. Disa toponime të bëjnë të mendohesh thellë. Kështu në këto anë nuk përdoret emri “fole”, por çerdhe. Mirëpo toponimin “Folonjë”, e shpjegojnë me togfjalëshin ”fole uji” . Dhe vërtetë ky lum i vogël mban ujë në të gjitha stinët. Emrin “konopere”, një grykë mes shkëmbinjve, etimologjikisht e lidhin me dy fjalë , “konop”, fjalë e cila në këto anë përdoret “ litar” dhe fjalën“erë” e cila në togfjalëshin “konop- ere” japin besnikërisht pozicionin midis shkëmbinjve të këtij vendi , nga ku fryn vazhdimisht edhe flladi i lehtë në verë e murlani në dimër . Më vështirë do ta kemi kur të ngjitemi në brinjën e Braneshit. Është një e përpjetë thikë, që ta merr shpirtin, deri sa të dalësh në fushën e Funarit, rreth 6 km më lart. Nuk e kuptova, se kisha arritur aty nga mesi i brinjës, mes drunjve dhe ferrave dhe ishte bërë natë. Diçka lëvizte nëpër gëmusha, por këmbët nuk më kthenin më prapa, por më nxitnin të vrapoja më shpejt. Për Brinjën e Braneshit tregojnë shumë histori. Njëra thotë se një banor i Funarit u largua jasht shtetit në Stamboll, në kohën e sundimit turk. Pasi kaluan dhjetra vjet e të afërmit iu lutën të kthehej pranë familjes, ai fillimisht pyeti: – “A është më Brinja e Braneshit? Nëse ajo ekziston, unë nuk kthehem kurrë.. Vetëm atë brinjë nuk dua ta ngjis më… ““.

X X X

Grykën e Zaranikës e kanë bërë të njohur edhe burrat e mençur që kanë lindur e jetuar këtyre anëve. Emrat e tyre përmenden edhe sot në dasma e gëzime, apo në muhabete burrash që bëhen në odat e miqëve. Selim Meta nga Balza e dha jetën në përpjekje me forca diversante, pak kohë, pasi ishte çliruar vendi nga pushtuesit, dhe u përjetësua në këngën e solistëve elbasanas. Isuf Deliu nga Mollagjeshi, ishte patrioti me nam, që u shërbeu bashkëfshatarëve, jo vetëm si drejtues gjatë Luftës, por edhe si hoxhë i fshatit. Ishte i zgjuar dhe gëzonte respekt tek të gjitha shtresat e për këtë arriti të bëhet edhe shef i seksionit të bujqësisë të rrethit të Elbasanit, në kohën më të vështirë. Në Mollagjesh u hap shkolla e parë shqipe që në vitin 1932, si një ndër shkollat e para shqipe pas asaj Normale dhe pas dy të tjerave, njëra hapur në Shpat të Elbasanit e tjetra në Vrap të Peqinit. Dy burrat e Mollagjeshit, Isuf Deliu dhe Sali Çela, morën udhën në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit të kohës dhe siguruan pas një argumentimi këmbëngulës një dokument për hapjen e shkollës. Në kthim i zuri nata rrugës, e fjetën në një shpellë, me lejen e hapjes së shkollës në gji dhe të nesërmen dhanë sihariqin e hapjes së saj në gjithë Grykën. Dhe ndonjë skeptiku, që nuk pranonte të silltë fëmijën në shkollë, Sali Çela iu përgjigj me shembullin e tij konkret. Ai qethi si çun vajzën e tij të vetme dhe e dërgoi atë i pari në dhomën me lagështirë që shërbeu si shkollë fillimisht. Ismail Kaca nga Bixëllenja, ishte përfaqësues i Ballit Kombëtar e Rrapush Hyka në Korrë, përfaqësues i Legalitetit, por gjithçka e vunë në shërbim të banorëve të Grykës së Zaranikës e lirisë së vendit. Bashkëpunuan të tre,bashkë me Isuf Deliun, me një qëllim të vetëm, që pushka të ishte drejtuar vetëm kundër pushtuesit e të mbroheshin me çdo kusht vatrat e fshatarëve të kësaj Gryke. Gjurmë kanë lënë edhe Gani Çupi e Hasan Sherja në Korrë ,një fshat me mjaft tradita arsimdashëse, që për njëzet vjet rrjesht drejtuan pushtetin në fshat dhe fituan besimin e popullit, sepse vunë gjithçka me ndershmëri e sinqeritet në shërbim të tij. Nuk ishte atëhere si sot. Nuk njihej atëhere bakshishi e korrupsioni për të zgjidhur hallin. Drejtuesi i pushteti të trokiste vetë tek dera e hallexhiut e jepte ndihmën e duhur. Ishte një ndershmëri e lartë e një lidhje fort e sinqertë midis njerëzish e drejtuesit. Po kështu në fshtatin Mollagjesh ka jetuar edhe plaku mbi 100 vjeçar, Kalem Haka ,që u jepte mend burrave të gjithë Grykës, e para mençurisë së tij tuteshin pushtetarët e ardhur nga rrethi. Sot , njw specialist blektorie në Njësinë Administrative të Funarit ndjehet sa optimist, aq edhe pesimist. Ai flet edhe për turizmin në këtë zonë , por duket se ëndërrat e tij mbeten larg shpresës për realitet. Gryka e Zaranikës është një zonë myslimane e lidhur ngushtë me fenë e me ritet fetare. Dikur gjashtë banorë të fshatit u dënuan me burg për shkak të besimit . Edhe xhamia u mbyll forcërisht pas kësaj ngjarjeje për tu hapur vetëm pas 23 vjetësh, me fillimet e demokracisë. Zëri i hoxhës, që dëgjojmë sonte nga lartësia e minares, është një kujtesë edhe për ata sakrifica të bëra nga ato burra për mbrojtjen e dinjitetit fetar. X X X

Të gjithë kanë shpresë e besojmë, se rritja e mirëqenies do të jetë e shpejtë, ashtu siç mendojnë shumë banorë të kësaj zone. Le të shpresojmë se Funari me të gjitha fshatrat e grykës së Zaranikës do të jetojnë më mirë dhe për rreth rezervuarëve të kësaj zone , shoqëruar me bukuri magjepëse natyrore , dora e njeriut dhe investimet të të ofrojnë dëshirën për të kaluar këtu kohë pushimesh në dimër e në verë.

Share this:

  • Click to share on WhatsApp (Opens in new window)
  • Click to share on Facebook (Opens in new window)
  • Click to share on Twitter (Opens in new window)
  • Trending
  • Comments
  • Latest
“Llumi, kurvat, spiunët, hajdutët në krye të shtetit’/ Reagim i fortë i vajzës së poetit të madh…

“Llumi, kurvat, spiunët, hajdutët në krye të shtetit’/ Reagim i fortë i vajzës së poetit të madh…

July 22, 2022
Nga Ilir Demalia: Rudinë, babai yt u vra për trafikun e armëve në Kosovë dhe jo për partinë e demokracinë!

Nga Ilir Demalia: Rudinë, babai yt u vra për trafikun e armëve në Kosovë dhe jo për partinë e demokracinë!

April 8, 2022
Dashnorja i fillojë punë, e mbylli gojën Andi Bushati

Dashnorja i fillojë punë, e mbylli gojën Andi Bushati

April 2, 2022
Lajm i fundit: Deputeti demokrat i Lushnjes Sajmir Koreshi i dorëzon mandatin e deputetit Lulzim Bashës

Lajm i fundit: Deputeti demokrat i Lushnjes Sajmir Koreshi i dorëzon mandatin e deputetit Lulzim Bashës

September 18, 2021
Nga Azgan Haklaj: Marsi, projektues i Nëntorëve të Lirisë

Nga Azgan Haklaj: Marsi, projektues i Nëntorëve të Lirisë

0

Kiev: Vajza goditet live nga raketa ruse

0

Reagon Unioni i Gazetareve Shqiptare!

0

Per teatrin dhe dhunen reagon Unioni i Gazetareve Shqiptare!

0
Nga Azgan Haklaj: Marsi, projektues i Nëntorëve të Lirisë

Nga Azgan Haklaj: Marsi, projektues i Nëntorëve të Lirisë

March 29, 2023
Për sulmin me armë të Top Channel po hetohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore

Për sulmin me armë të Top Channel po hetohet një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore

March 29, 2023
Gjinekologu: Meshkujt shqiptarë bëjnë seks 3 minuta dhe flejnë 3 orë

Gjinekologu: Meshkujt shqiptarë bëjnë seks 3 minuta dhe flejnë 3 orë

March 29, 2023
Pukë: Përmbyset në rrugë fuoristrada, tre të plagosur

Pukë: Përmbyset në rrugë fuoristrada, tre të plagosur

March 29, 2023

Drejtor
Vladimir Muçaj

Kryeredaktor
Besim Dybeli

Gazetar(e)
Valjeta Krosi
Enkelejda Troka

Adresa
Pranë teatrit "Bylis"

Copyright © 2022 News Albania

No Result
View All Result
  • KREU
  • Aktualitet
  • Kronikë
  • Politikë
  • Sociale
  • Bota
  • Opinion
  • ShowBiz
  • Shëndetësi
  • Kulturë

Copyright © 2022 News Albania

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Create New Account!

Fill the forms below to register

All fields are required. Log In

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In