Partitë opozitare në Kosovë kërkojnë më shumë detaje nga kryeministri Albin Kurti lidhur me pikat që përmban plani evropian. Ndonëse SHBA ka ngritur shqetësime për qëndrimet e opozitës ndaj këtij plani, disa vazhdojnë t’i kundërshtojnë disa pika të pranuara nga Kurti dhe Vuçiç.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa thekson se Kurti duhet të jetë më transparent lidhur me këtë çështje. I pyetur për qëndrimet e SHBA-së kundrejt opozitës, Beqa shtoi se planin e sheh si pozitiv, dhe se sipas tij kryeministri Kurti duhet të japë më shumë detaje.
“Kryeministri Kurti të jetë i hapur, transparent, të tregojë çfarë ka pranuar, a duhet të ndryshohet Kushtetuta, çfarë nëse ka qenë çështje mere ose leje, çfarë ishim dëmtuar nëse e kishim lënë një çështje të tillë dhe çfarë po përfiton Kosova me pranimin e planit franko gjerman, si do të implementohet plani”, thotë Beqa.
Edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi theksoi për Kosova Press se nuk ka pasur transparencë nga Kurti për procesin e dialogut. Kujtojmë se më 27 shkurt, Kurti dhe Vuçiç kanë pranuar gojarisht propozimin evropian, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë.