Kot që bashkë u dashuruam
(Sentimentale )
Erdhën zogjtë dhe s’qëndruan,
Çelën lulet, prapë u thanë,
Kot që bashkë u dashuruam,
Se prej saj shpejt u ndamë.
Ç’qe ky dëshpërim i shpejtë,
Që na erdhi i papritur,
S’ka më, s’ka, për neve jetë,
Kjo botë qenka e kripur.
Të kripur e kemi shpirtin
Ku do prehet, nuk dihet!
Ndaj nuk e besoj Ungjillin,
Sikur nuri të më digjet.
Me det, ç’derte paska jeta!
Qenka trubullirë deti.
Nëpër trubullira mbeta,
Se dashuria s’më deshi.
S’u gjet më dot dashuria,
Perëndoi por s’u harrua.
Ç’u bënë ëndërrat e mia?!
Çdo gjë për mua u shua.
Dal pyes, s’kam kë pyes.
Dhe pse jam i dëshpëruar.
Them të vdes, por nuk vdes,
Do iki kur është shkruar.
Se pres atë që më pret,
Atë që për mua vuan,
Ah moj besa që s’ke besë,
Qenke shumë e ngatëruar!
Dheu nën këmbë shket,
Shket moj shpresë e perënduar.
Pse s’na shfaqej dhe na qesh,
Gjoja me kryq nëpër duar.
Himarë, Janar 2008 ( E pabotuar)