Ende pa u tharë lotët për Sabrina Bengajn, 23 vjeçarja që u vra në mënyrë barbare nga ish-bashkëshorti, teksa hante bukë në banesën e prindërve të saj, një tjetër grua u ekzekutua këtë të shtunë në Fier.https://ea1ca93e2ad4ad446b5ee5750daec93a.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Fëllënxë Rrasa 45-vjeçe, u vra nga bashkëshorti i saj Hekuran Rrasa. Pas krimit të rëndë, 58 vjeçari i drejtoi armën vetes, duke i dhënë fund edhe jetës së tij.
Shifrat alarmante, pse shërbejnë urdhrat e mbrojtjes
Mospranimi i divorcit, problemet ekonomike, xhelozia janë disa nga “shkaqet” që kanë çuar burrat në vrasjen e grave në Shqipëri. Bilanci është dramatik, 7 gra të vrara në 8 muaj. Në tre prej rasteve, pasi iu kanë marrë jetën bashkëshorteve, burrat kanë vrarë edhe veten.
Sabrina, Fëllënxa, Irvana, një tjetër Fëllënzë, Luljeta, Menderia, Klarita nuk jetojnë më. Ato u dogjën për së gjalli, u vranë nga me automatik apo sëpatë nga bashkëshortët e tyre.
Në shumë prej rasteve, ato ishin edhe viktima të drejtësisë dhe policisë, pasi edhe të pajisura me urdhra mbrojtje, ato nuk i mbrojti dot askush.
Siç duket, urdhëri i mbrojtjes sherben vetëm si një letër formale, pasi shpesh viktima e dhunuesi, jetojnë nën të njëjtën çati.
Kronologjia e vrasjeve
18 shtator
Leonard Rrasa ishte në kafe kur mori vesh se prindërit e tij kishin mbetur të vdekur në Divjakë. Më tronditës ishte edhe fakti, se autori i vrasjes së dyfishtë ishte babai i tij, Hekuran Rrasa, i cili pasi vrau bashkëshorten, Fëllënxa Rrasa, drejtoi armën edhe nga vetja e tij, duke mbetur i vdekur në vend.
10 shtator
Sabrina Bengaj, vetëm 23 vjeçe, e divorcuar dhe me urdhër mbrojtjeje u vra nga ish-bashkëshorti i saj duke ngrënë bukë, në banesën e prindërve të saj në Zhupan të Fierit. Një vit më parë 31-vjeçari , Elton Meta, autori i krimit makabër, kishte marrë peng ish-bashkëshorten dhe familjen e saj në banesën e tyre në Zhupan.
Pavarësisht kësaj, ai u lirua nga burgu dhe vrau në mënyrë makabre ish-bashkëshorten e tij, më të cilën kishte edhe një vajzë. Por Sabrinën nuk e vrau vetëm Eltoni, atë e vrau edhe drejtësia dhe shteti.
5 korrik
Një tjetër krim u regjistrua më 5 korrik. Klarita Ismalaja u vra me thikë nga bashkëshorti i saj, në Bubq të Krujës. 51-vjeçari Artan Ismalaja e qëlloi atë për vdekje me thikë, ndërsa krimi ndodhi në makinën e tyre në afërsi të një magazine. Pas krimit, 51 vjeçari ka tentuar të kryejë vetëvrasje .
6 maj
Kërkesa e Liljana Buzos për t’i dhënë fund martesës së dhunshme, përfundoi në tragjedi për nënën e 3 fëmijëve në Elbasan. 54-vjeçarja sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit, kur bashkëshorti, ish-polici Koço Buzo i cili po e priste jashtë, i është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine.
Pas krimit, ai deklaroi se i kishte kërkuar bashkeshortes që të mos shkonte në gjykatë për të kërkuar urdhër mbrojtje për dhunë në familje, që ky të mos përfundonte në burg.
7 qershor
Një muaj nga vrasja e Liljana Buzos në derë të Gjykatës në Elbasan, një tjetër grua u masakrua në qarkun e Elbasanit. Menderie Bici, 53 vjeçe, u ekzekutua me sëpatë nga bashkëshorti i saj 56-vjeçar, Qemal Bici. Ngjarja e rëndë u regjistrua në Dragustrinjë të Librazhdit.
10 prill
Një makinë që po digjej rreth orës 07:00 të së shtunës në fshatin Manskuri të Kavajës, zbuloi një krim makabër që shkon përtej të paimagjinueshmes. Burri i kishte vënë flakën për së gjalli gruas së tij në makinë, dhe më pas i kishte vrarë veten pak metra më tutje duke u vetëvarur në një pemë. Viktimat janë identifikuar si Fëllënza Shirja 45 vjeçe dhe Bilbil Shirja 48 vjeç, prindër të dy fëmijëve, një vajze dhe një djali adoleshent.
17 mars
Një prej krimeve më tronditëse, është ai i Demokrat Medinajn. 29-vjeçari goditi për vdekje 31 herë me thikë gruan e tij, Irvana Hyka, 28 vjeçe edhe pse ajo ishte 6 javëshe shtatzënë. Krimi ndodhi pasditen e 17 marsit në lagjen “Sheq i madh” të Fierit, në sytë e fëmijëve të çiftit. Një ditë më pas 29 vjeçari u gjet i vdekur.