Ogerta Manastirliu nuk pyet për ligjin e prokurimeve, por i qëndis tenderët në bashkëpunim me biznesmenët e përzgjedhur. I tillë është edhe tenderi i hapur për të larë çarçafët e Spitalit Rajonal të Fierit. Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-40205-08-30-2022, me objekt “Shërbim Lavanderie për Spitalin Rajonal, Fier”, për të cilin do të shpenzohen jo pak, por 500 milionë lekë. Ky tender është njoftuar nga Agjencia e Prokurimeve të Përqendruara me urdhër të Ogerta Manastirliut, e cila firmos miliarda lekë, por shërbimet e Shëndetësisë lënë për të dëshiruar.
Ashtu sikur shumë prokurime të tjera të këtij sektori edhe ky tender është denoncuar pranë Komisionit të Prokurimeve Publike për cenim të konkurrencës së lirë. Ankimuesi është operatori “Devis” Sh.p.k., i cili pretendon se autoriteti kontraktues ka hartuar tenderin me kritere diskriminuese. Për shembull në një pikë të tenderit kërkohet që kompania të ketë të regjistruar dy inxhinierë kimist që do të shërbejnë në lavantari, të cilët do të shërbejnë vetëm për grumbullimin dhe hekurosjen e çarçafëve të spitalit. Sipas, ankimuesit ky kriter është vendosur në bazë të kritereve që plotëson kompania e paracaktuar nga autoriteti kontraktues, pasi ky shërbim mund të kryhet edhe nga punonjësit e tjerë të deklaruar.
Në shqyrtim të dokumentit, Komisioni i Prokurimeve ka pranuar ankesën dhe është shprehur ky kriter referuar objektit të prokurimit është i ekzagjeruar dhe joproporcional me objektin e prokurimit, që është shërbimi i lavanderisë.
“Referuar edhe formularit të specifikimeve teknike, ku përcaktohet se operatori ekonomik do të ofrojë shërbimin e grumbullimin e materialit të butë të papastër në të gjitha pavionet e Spitalit Rajonal Fier,; hekurosjen dhe paketimin e materialit të butë, shpërndarjen e materialit të butë në të gjithë shërbimet e Spitalit Rajonal Fier, sipas grafikëve të përcaktuar; shtrimin e shtratit të pacientit; sigurimin e materialit të butë për shtratin e pacientit, personelin shëndetësor si dhe për sallat operatore deri tek kompletimi me inventarin e materialit të butë shtrimin e materialeve në shtratin e pacientit, nuk është e nevojshme që operatori ekonomik të disponojë një drejtues teknik të profilit inxhinier kimist apo inxhinier mjedisi, ky shërbim mund të realizohet nga drejtuesi teknik”, thuhet në vendim.
Për këtë arsye KPP gjykon, se autoriteti kontraktor duhet të modifikojë kriterin sa më sipër, duke hequr profilin e drejtuesit teknik, në funksion të hapjes së konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë. Në përfundim KPP vendosi të pranojë ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Devis” SHPK dhe i kërkon Autoriteti Kontraktor të bëj menjëherë modifikimet në dokumente dhe të rishikojë ofertat e paraqitura nga e para. Është e disata herë që KPP kap në shkelje dhe anulon tenderë në sektorin e Shëndetësisë, por Manastirliu nuk nuk heq dorë nga abuzimet.