Kreu i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të deputetit të zgjedhur të Partisë Socialiste, Petro Koci i cili deklaroi se në Fier shumë elementë të botës së krimit përfitojnë nga të ardhurat punlike.
Subashi mohoi që deklaratat e Koçit të jenë adresuar në drejtim të bashkisë dhe e cilësoi këtë si “një spekulim të pastër të mediave me ose pa dashje”.
“Ndaj meje? Je duke abuzuar, jo të lutem nuk i bën këto diversion se në asnjë moment në deklaratat e deputeti Koçi nuk është bërë asnjë insituatë për bashkinë. Ka qenë një spekulim i pastër i mediave dhe me dashje ose pa dashje jam munduar ta kanalizojnë drejt bashkisë. Duke vendosur një deputet përballë kryetarit të bashkisë ky është lajm, por ky është abuzim”, është shprehur Subashi.
Ndërkohë ai ka thënë se në asnjë moment SPAK nuk ka qenë në zyrat e bashkisë së Fierit dhe ka ofruar gadishmëri për të gjitha organet ligjzbatuese të hapin hetim nëse është e nevojshme.
“SPAK nuk ka qenë në zyrat e bashkisë së Fierit. Është një fake news nuk di pse është përhapur. Çdo institucion është i hapur për hetim për organet ligjzbatuese. Nuk është fundi i botës nëse do të behët hetim”, tha Subashi.