Nga mikrofoni i protestës u përmendën edhe deklaratat e kryeministrit Edi Rama më herët gjatë ditës. Këshilltari i PD-së Dorian Teliti e lexoi ligjërimin e Ramës si një distancomini të tij nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
“Jemi afër arritjes së objektivit tonë madhor, dorëheqjen përfundimtare të Erion Velisë dhe më pas, dorëheqjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë. Është rezistenca juaj që sot bëri të mundur që Edi Rama të bëjë disa hapa pas. Ai që para disa javëve i jepte mbështetjen e pakushtëzuar Erion Velisë, sot u distancua nga ai. Foli për hajdutë – Edi Rama, foli për abuzues ligji, foli për grupe të struktura, foli për drejtorë dhe kryebashkiakë. Kjo u arrit vetëm në sajë të qëndresës suaj dhe të forcës suaj protestuese”, tha Teliti.
Belind Këlliçi e cilësoi Veliajn “kreun e bandës 5D dhe pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës”, si dhe “hajdutin më të madh që ka prodhuar ndonjëherë ky vend”.
Nga mikrofoni i protestës, të tjerë folës u kërkuan qytetarëve të bashkohen në protestat për dorëheqjen dhe arrestimin e Veliajt.
“Për mua nuk jemi në një kohë të rotacionit të pushtetit. Jo, ne jemi në emergjencë të madhe. Çfarë do bëjmë?! Duhet të ngrihet populli! Ngrijeni pak popullin nga gjumi, nuk bëhet ndryshe. Është fjala për përmbysje. Do na rrahin ata? Le të na rrahin. Unë kam vetëm një problem, nuk më ngjiten kockat më. Unë e dua Shqipërinë, e dua këtë flamur, në emër të këtij flamuri kanë rënë të gjithë heronjtë e vërtetë”, u shpreh aktori Mehdi Malkaj.
Protesta zgjati rreth 2 orë, ndërsa e radhës u lajmërua të martën e javës së ardhshme.