Plot 100 kilogramë kokainë janë sekuestruar në Itali. Droga ishte e fshehur brenda djathit ‘Parmigiano’. Ajo u zbulua nga policia financiare e Torinos, e cila kreu një operacion të gjerë antidrogë në të gjithë Italinë. Policia zbuloi tregtinë midis Piemontes, Torinos, Asti, Lombardisë, Venetos, Toskanës, Siçilisë dhe Sardenjës në këtë trafik.
Dhjetë persona, 7 italianë dhe 3 shqiptarë u arrestuan në kuadër të këtij operacioni. Sipas akt-akuzës, kreu i organizatës është një 37-vjeçar me kombësi shqiptare.
Ata blinin sasi të mëdha kokaine nga jashtë, veçanërisht nga Holanda dhe e transportonin në Itali me kamionë.
Droga ruhej në magazina në Piemonte (veçanërisht në provincat e Asti, Alessandria dhe Cuneo), por edhe në zona të tjera të Italisë veriore (përfshirë provincën e Rovigos).
Më pas shpërndarja në rajone të ndryshme (Piemonte, Lombardia, Veneto, Toskana, Siçilia dhe Sardenja), u bë nëpërmjet “korrierëve” dhe duke përdorur një flotë të madhe automjetesh. Vetë korrierët kishin për detyrë të merrnin paratë nga shitjet.
Droga e sekuestruar, nëse do të shitej “me pakicë”, do të kishte sjellë një fitim prej të paktën 20 milionë eurosh