-Kush është Enxhi Drapi?
~ Enxhi Drapi është një vajzë nga Tirana.
Jam studente në fakultetin e drejtësisë dhe më pëlqen shumë si degë. Ndjehem mirë në atë fushë dhe, edhe pse duket sikur nuk ka lidhje me letërsinë… është krejt e kundërta. Interpretimi i ligjeve kërkon në një farë mënyre logjikë artisti. Kam vite që shkruaj poezi dhe e dashuroj poezinë,pavarësisht se zgjodha të vij me “Diku ku dielli nuk perëndon”, një prozë, e cila po rezulton goxha e suksesshme, duke u bazuar edhe në kritikat letrare. Po ashtu më pëlqen shumë aktrimi.
- Keni kapërcyer momentin e takimit të parë si shkrimtare me lexuesin. Si e përjetoni këtë marrëdhenie të re?
~ Marrëdhënien e re po e përjetoj me shumë dashuri dhe pozitivitet. Është ndjenjë shumë e bukur kur përballesh me komentet e lexuesit, kur të kërkohet autograf apo qoftë edhe kur je në një intervistë. Sigurisht që është një marrëdhënie plot me emocione, por kur vëren që puna jote përkthehet në dashamirësi dhe kur kupton se lexuesi e kishte të nevojshëm një botim të tillë ndjehesh akoma më mirë dhe mundohesh akoma më shumë që të mos i zhgënjesh në vazhdim.
- Romani juaj i parë ka kohë që është në marrëdhenie me lexuesit. Si e vlerësoni momentin e reflektimit të lexuesve për këtë libër dhe a ka diçka që ka shkaktuar reagim tuajin ndaj librit që tashmë nuk keni mundësi ta prekni?
Mund të them që “Diku ku dielli nuk perëndon” ka goditur, si mentelitetin e shoqërisë po ashtu edhe zbrazëtinë e tregut për një botim të tillë. Është një roman me karakter psiko- socila në qendër të së cilit është femra, absolutisht pa e nënvlerësuar mashkullin, por i është dhënë femrës vlera dhe rëndësia që ka, gjë që në jetën e përditshme është një e drejtë që mundohen të na e censurojnë. Në këtë roman lexuesit do përballen me historinë e Helen, një vajze në dukje të thjeshtë, të por që fshihte një fuqi të jashtëzakonshme brënda vetes. Diku ku dielli nuk perëndon është një roman aktual i cili përfshin këdo, duke filluar nga familja, marrëdhënia mes familjarëve, shoqëria, krimi, i cili është një fenomen i cili në një mënyrë apo një tjetër na prek të gjithëve, paragjykimet, të cilat rëndom prekin këdo. Vlen të theksoj se në roman janë disa “çelësa magjik” të cilët lexuesit mund ti përdorin për të kthyer POZITIVITETIN në jetën e tyre, sepse gjëja më e vlerë që duhet të lakmojë kushdo është lumturia. Përsa i përket pjesës së ndryshimeve në libër… jo, nuk ndjej të nevojshëm asnjë ndryshim, për të tepër që mendoj se ndryshimet në një moment të dytë venisin origjinalitetin.
-Kur depërton në tregun e leteërsisë si autore, duket se ndryshon edhe marredhenia juaj me prurjet në letërsi. A ngjet kjo me ju? Çdo të thotë të jesh shkrimtare e re në nj shoqëri që jeton në kaos dhe anarki?
~ Të jesh autore e re nuk është aspak e lehtë sepse pakkush ka dëshirën e mirë për të të mirëpritur. Nuk ka qënë aspak e lehtë për mua botimi dhe shpërndarja e romanit, për më tepër që fatkeqësisht shtëpitë botuese në vendin tonë kanë problemet e tyre të funksionuarit si shtypshkronje. Më janë mbyllur shumë dyer. Nëse nuk do kisha qënë këmbëngulëse, nëse nuk do kisha mbështetjen e familjes, “Diku ku dielli nuk perëndon” nuk do ishte në treg. Jam përballur me shumë paragjykim për faktin se jam autore e re dhe për më tepër shqiptare, gjë për të cilën më vjen shumë keq. Talenteve të reja nuk i zgjatet asnjë dorë, por akoma edhe më keq… përballen me refuzime edhe kur pjesa financiare nuk mungon.
Eshtë i vjetër konstatimi se në kohë të vështira lind letersi e mirë. Ju mendoni ështu? A vetëndiheni se mund të jeni edhe ju prurëse e letërsisë mirë në këtë kohë?
Në fakt romanin e kam shkruar gjatë karantinës dhe më është dashur vetëm një muaj e gjysëm për ta shkruar, një punë intensive nga mëngjesi deri në darkë. Por nuk mendoj se duhen patjetër kohë të vështira për të qënë i frymëzuar, gjithçka varet nga perceptimi, gjëndja dhe interpretimi i autorit. Mund të them që preferoj të qëndroj modeste dhe të mos flas me superlativa për veten, por fakti që ky roman i ka kaluar kufinjtë e Shqipërisë, sepse është edhe në disa librari në Kosove, po ashtu ka qënë pjesë edhe e Panairit Ndërkombëtar të librit që u mbajt para pak ditësh në Dubai, kam vend për të qënë optimiste. Për më tepër që lexusit e kanë përqafuar me shumë dashuri. Absolutish që gjithçka arrihet me shumë punë, dëshirë dhe talent.
- Sfida më e madhe sot është të jesh shkrimtar për lexuesin global. Ju e keni këtë ambicie? Nëse po, keni menduar ta vetëzgjidhni apo prisni perkthyesit tuaj?
~ Siç thash edhe më sipër romani ka qënë pjesë e pamairit ndërkombëtar të librit në Dubai, që ishte një mundësi tepër e mirë për përkthimin e romanit në gjuhë tjetër, ende jemi në bisedime.
Por sigurisht që e shoh përkthimin e këtij romani në gjuhë tjetër, madje shumë afër, sepse vetë lexuesit e kërkojnë diçka të tillë.
- Keni droje se letërsia mund të jetë një dashuri e përkohshme rinore tek ju?
~Letërsia dhe asnjë lloj arti tjetër nuk ka vend për droje dhe frikë. Absolutisht që nuk kam frikë. Edhe pse në të ardhmen e shoh veten duke ushtruar profesionin, nuk kam ndërmend aspak ta lë letërsinë pas dore. Madje jam duke punuar me dramatizimin e veprës sepse shumë shpejt do vihet në skenë teatri, në pamundësi për të qënë film momentalisht.
- Cili është projekti juaj letrar i mundshëm apo në proces ?
~Jam duke ideuar volumin e dytë të “Diku ku dielli nuk perëndon”. Po vë re që shoqëria shqiptare dhe jo vetëm, ka nevojë për një vepër të tillë, të zhveshur nga përrallat dhe gënjeshtrat. Një vepër e cila është realiste, motivuese dhe edukuese.
Të rikthehemi dhe një herë pas. Keni shkruar romanin në periudhë pandemie. Sa e lehtë dhe e vështirë ishte për ju?
Idea për romanin dhe brendinë e tij ishte formëzuar shumë më herët. Periudha e pandemisë çuditërisht më dha qetësinë e duhur për të shkruar dhe nuk ka qënë pengesë përkundrazi ishte krahas të tjerave një lloj shtyse për tu ulur dhe shkruar cfarë kisha ideuar dhe skicuar. I gjithë romani kapi kohën afërsisht një muaj e gjysëm.
Ju urojmë shumë suksese me botimin e parë me dëshirën tju kemi në të tjera intervista me krijime e prurja të reja!
Faleminderit juve dhe medias tuaj për intervistën! Intervistoi: Vladimir Muçaj