“Ka momente kur gjithçka kalon në plan të dytë, përfshirë edhe futbollin”. Kështu filloi mesazhi i gjatë dhe zemërthyer shkruar nga Cristiano Ronaldo në Instagram për ndarjen nga jeta të Soraia, bashkëshortes së futbollistit të Vitória Setúbal, José Semedo, një mik i ngushtë i CR7. Një lajm dramatik që tronditi ish-sulmuesin e Juventusit: “Javën e kaluar, papritur, një person fantastik u largua, Soraia jonë e dashur, nëna dhe gruaja e mrekullueshme e një prej miqve më të mirë që jeta më ka dhënë.
Asgjë nuk mund të fshijë dhimbjen e vëllait tim José Semedo dhe të gjithë familjes së tij, por ne jemi bashkë, sot si gjithmonë, për të përballuar këtë moment shumë të vështirë. Nuk do të të harrojmë kurrë”, ka shkruar Ronaldo duke postuar foton e një darke të vjetër me Soraia dhe Semedo.