Eksportet kanë shënuar ecurinë më të mirë në katër muaj në qershor, duke shfaqur sinjale rekuperimi pasi pandemia e kishte goditur rëndë, duke filluar që nga marsi. Ndonëse tendenca vijon me tkurrje, ritmet e rënies me bazë vjetore janë ngadalësuar ndjeshëm, ndërsa në raport me majin janë në rritje.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në qershor eksportet eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 9,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 7,3 %, në krahasim me Maj 2020.
Për 6 mujorin, tendenca është negative prej -17.7%, me bazë vjetore, e ndikuar nga tkurrja e fortë në mars (-36.2), prill (-44%) dhe maj (-22.7%), ndërsa në dy muajt e parë, përpara fillimit të pandemisë, tendenca kishte qenë pozitive (+6.3%).
Efektin kryesor në këtë tkurrje e ka dhënë rënia e eksporteve të industrisë së tekstileve e këpucëve, që ka ndikuar në më shumë se gjysmën e rënies për 6 mujorin. Ecuri pozitive kanë shënuar vetëm grupet e ushqime, pije dhe duhan, dhe makineri e pjesë këmbimi.
Tekstilet dhe këpucët përshtaten në maska e veshje për spitale, por sërish mbeten me rënie të fortë
Industria e tekstileve e këpucëve u godit më rëndë nga pandemia. Kompanive iu bllokuar porositë dhe e ardhmja mbeti e pasigurt për shkak të rënies së pritshme të kërkesës. Një pjesë e sipërmarrjeve konvertuan prodhimin, duke u përshtatur me kërkesat e reja të tregut, kryesisht në maska, veshje pune për spitale, ose veshje këmbe për spitale. Mimoza Vojka, administratore e SAM, që prodhon veshje sportive, pohon se në pesë javë ka prodhuar 1.1 milionë maska për tregjet e Francës, Holandës, Belgjikës, Anglisë, që jo vetëm i mundësoi të rekuperojë rënien e aktivitetit nga tkurrja e porosive në javët e para të pandemisë, por edhe të shënojë rritje të ndjeshme.
Alfred Mali, administrator i “Mali Shoes”, me seli në Lezhë pohon se “gjatë kësaj kohe prodhimi i këpucëve ishte mbyllur, dyqanet ishin mbyllur dhe nuk kishte treg për këpucët. Nga kërkesa e spitaleve, e farmacive unë bëra një linjë të prodhimit të maskave, por prodhova edhe këpucë për spitale. Kam shumë kërkesa edhe nga jashtë për të dërguar produktin si në Itali e Egjipt ku do të shkojë me logon ‘Made in Albania’”.
Por dhe ky orientim nuk duket se e ka shpëtuar këtë sektor. Të dhënat e INSTAT tregojnë se ai është goditur më rëndë nga të gjitha grupet e tjera eksportuese. Në qershor, eksportet e tekstileve e këpucëve u tkurrën me 11%. Për 6 mujorin, ky grup ka shënuar një tkurrje prej 22.5%.
Tekstilet dhe këpucët mbeten grupi më i eksportuar në vend, me 38% të totalit.
Lëndët djegëse dhe mineralet, Bankers rifillon eksportet
Eksportet e mineraleve dhe lëndëve djegëse ranë me 25% në qershor. Për 6 mujorin, ky grup është tkurrur me 22%.
Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, i cili ndërpreu përkohësisht prodhimin në prill e maj, njoftoi se nga fundi i muajit maj, akttiviteti iu rikthye gradualisht normalitetit. Kompania njoftoi më herët se në qershor pothuajse 95% e puseve në fushën Patos-Marinza janë rivënë në punë dhe kanë rifilluar operacionet e prodhimit të naftës papërpunuar. Prodhimi mesatar ditor është aktualisht rreth 2050 tonë, duke iu afruar dita ditës niveleve të prodhimit përpara fillimit të pandemisë, ndonëse për momentin prodhimi po shitet më shumë në tregun e brendshëm. Gjatë muajit qershor, kompania realizoi dy ngarkesa eksporti, me një sasi totale prej rreth 40,000 ton, ndërsa ka shitur dhe në tregun e brendshëm.
Materiale ndërtimi dhe metale, situata përmirësohet, por i tremben një mbylljeje të dytë
Eksportet e “material ndërtimi dhe metale” ranë me 9.5 % në qershor. Për 6 mujorin tkurrja është 28%.
Kurum, prodhuesi kryesor i këtij grupi dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend, pas Bankers Petroleum, po rikuperon aktivitetin, pas një ndërprerjeje të përkohshme në fillimet e pandemisë. Por, burime nga kompania thanë se kërkesa në Maqedoni, Kosovë është rritur. Por, bursat e metaleve mbeten shumë dobët dhe çmimet kanë shënuar ulje, kjo e ka ndikuar negativisht kompaninë në tregun e brendshëm, pasi në maj-qershor ka hyrë më shumë hekur nga importi, sesa ka shitur kompania (në qershor është gjallëruar tregu i brendshëm i ndërtimeve). Kurum pret që vera të sjellë përmirësim të mëtejshëm, ndërsa nuk parashikon të gjenerojë fitime gjatë këtij viti. Frika është tek pasojat që do të kishte, nëse do të shkohet në një mbyllje të dytë në shtator.
Eksportet e produkteve bujqësore, më rezistentet ndaj pandemisë
Grupi i “Ushqime, pije dhe duhan” ishte i vetmi që jo vetëm i rezistoi pandemisë, por dhe arriti të shënojë rritje, pasi bujqësia vazhdoi punën e pashqetësuar. Në qershor, eksportet u rritën me 13.5 %. Për 6 mujorin, ky grup shënoi një zgjerim prej 5.3, duke shënuar performancën më të mirë për 6 mujorin nga të gjithë sektorët. “Ushqime, pije dhe duhan”, kanë kaluar në grupin e dytë më të eksportuar nëvend, nga i katërti që ishin përpara se të fillonte pandemia, me 15% të totalit.
Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi rimarrin veten, rritje positive në qershor
Grupi i “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që vitin e kaluar ishte me rritje dy shifrore për shkak të zgjerimit të investimeve në montimin e pjesëve elektrike të industrisë automotike, shënoi rënie prej 14% në maj. Ndërsa në qershor, aktiviteti filloi të rekuperohej, me eksportet që u rritën me 1.6%. Për 6 mujorin, eksportet e këtij grupi ishin positive, me një zgjerim prej 2.3%, të ndikuar dhe nga performance e mirë e dy muajve të parë dhe rikuperimi i qershorit.
Qershori i ka gjetur të gjitha fabrikat hapur, madje edhe koreanojugorët e “Yura Corporation”, të cilët kanë filluar prodhimin “test” në Fier. “Forschner” po punon me kapacitet të plotë, por me turne, duke iu përgjigjur kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa “Delmon Group Albania” është optimist për vijimin, duke pritur një rritje deri në 20% për vitin 2020. “PSZ Albania” konfirmoi se edhe gjatë pandemisë ka vijuar normalisht punën, duke mos ndier luhatje. Industria, edhe pse në nivel global mbetet peng i një situate të paqartë në Shqipëri, duket se po i rikthehet normalitetit gradualisht.
Ulet deficiti
Sipas INSTAT, Në gjashtëmujorin e parë 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 125 mld lekë, duke u ulur me 17,7 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 271 mld lekë, duke u ulur me 14,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 146 mld lekë, duke u ulur me 11,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.
Rriten eksportet drejt Kosovës, ulen drejt Italisë
Në muajin Qershor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2019 janë: Kosova (4,1 %), Gjermania (2,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (31,7 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-14,6 %), Greqia (-5,2 %) dhe Spanja (-35,7 %).
Gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (14,0 %), Turqia (12,2 %) dhe Mbretëria e Bashkuar (14,5 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-24,6 %), Kosova (-28,1 %) dhe Spanja (-11,5 %).
Në muajin Qershor 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Qershor 2019 janë: Turqia (35,3 %), Kina (0,2 %) dhe Kosova (27,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-6,7 %), Greqia (-5,6 %) dhe Gjermania (-7,6 %).
Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (43,5 %), Mbretëria e Bashkuar (167,0 %) dhe Ukraina (61,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (-20,2 %), Greqia (-10,7 %) dhe Turqia (-6,7 %).