Dosja penale e SPAK ndaj ish-deputetit të PS Alqi Bllako zbulon një tjetër akt falsifikimi në dokumentacionin dhe procedurat e ndjekura për koncesionin e incineratorit të fierit.
Një nga anëtarët e komisionit të koncesionit, shtetasja Armida Ali, punonjëse e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ka theksuar se kishte bërë observacion dhe kundërshtime në lidhje me procedurën, por dokumentacioni është falsifikuar.
Kjo sipas SPAK, ka ndodhur gjatë shqyrtimit të ofertës së pakërkuar të paraqitur nga kompania e Klodian Zotos, tashmë në kërkim ndërkombëtar, për incineratorin e Fierit.
Pronari i kompanisë “Building Construction dhe Green Energy” Klodian Zoto dhe shtetasja Elidiana Shehu e kishin prezantuar projektin para komisionit në datën 29 dhejtor 2015 ndërsa më 9 maj 2016, pasi kishte kërkuar mendimin e ministrisë së financave, zyrtarët kanë vendosur t’i japin 10 pikë bonus kompanisë në fjalë.
Në vijim në datën 18 qershor 2016, anëtarja e Komisionit Armada Ali ka paraqitur vërejtjet e saj. Gjatë marrjes në pyetje nga SPAK, ajo ka sqaruar se dokumentit të administruar si “observacioni i datës 29 gusht 2016”, i mungojnë fletët e plota ku ajo kishte përshkruar argumentet kundërshtuese të saj.
Ndër të tjera ajo kishte kërkuar në vërejtjet e saj që kompania e Klodian Zotos të dëshmonte se kishte eksperiencë në punë të ngjashme, në sektorin publik apo privat.
Sipas vërejtjes së punonjëses, vetëm paraqitja e një dëshmie të tillë e bënte të kualifikueshme ofertën e paraqitur nga kompania e Klodian Zotos. Pavarësisht këtyre vërejtjeve, punonjësja e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve ka marrë lejen ndërsa pa dijeninë e saj, komisioni ka shqyrtuar ofertën e kompanisë së Zotos dhe e ka miratuar draft kontratën duke vijuar procedurat për finalizimin e tenderit.
Spak bën të ditur në dosje se gjatë hetimit ka marrë në pyetje shtetasen Armida Alia, e cila ka deklaruar se nuk është në dijeni të hartimit të asnjërit prej dokumenteve të tenderit, nuk është mbajtur procesverbal për mbledhjen e komisionit dhe nuk ka firmosur asnjë preh shkresave.
Dëshmitarja ka pohuar se pa dijeninë e saj është bërë edhe publikimi i dokumenteve të tenderit në sistemin elektronik të agjencisë së prokurimit publik.
Spak ka bërë ekspertimin e nënshkrimeve të dokumentacionit të tenderit, ku ka rezultuar se firmosja e tyre nuk është bërë nga Armida Ali, madje as nga anëtarët e tjerë Azem Shateri, Etleva Kondi, Florjan Mucaj, Sabina Cenameri, Pellumb Abeshi dhe Erjon Murataj, duke krijuar kështu dyshimet se nënshkrimi i krejt dosjes është bërë nga një person i vetëm.