Zgjidhen drejtuesit e rinj të degës së UGSH Qarku Kukës
Kukës më 25.05.2023
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë për qarkun e Kukësit, ka zgjedhur kryetarin dhe koordinatorin e degës së Kukësit. Në takimin e zhvilluar në një nga mjediset mediatike të qytetit merrnin pjesë gazetarë e punonjës të mediave. Pjesëmarrës në mbledhje përveç gazetarëve vendorë ishin edhe kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, gazetari Aleksandër Çipa si dhe koordinatori i zyrës qendrore të organizatës.
Në një votim të fshehtë dhe të rregullt ku morën pjesë të gjithë anëtarët e UGSH, dega Kukës, kryetar u zgjodh gazetari Bekim Lekica dhe koordinator, gazetari Ervin Mehmetaj. Unioni i Gazetarëve në Kukës luan rol të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve të mira dhe të frytshme me bashkësinë e gazetarëve në Kosovë dhe më gjerë, në trojet shqiptare. Ndërsa evidentimi i problematikave dhe mbrojtja e kauzave të komunitetit në përgjithësi dhe vetë gazetarëve, janë detyra të anëtarëve dhe drejtuesve të Unionit, dega Kukës.
Më parë në këto pozicione ishin të zgjedhur, si kryetar i UGSH, Qarku Kukës, gazetari Ermal Hallaçi dhe si koordinatore, gazetarja Besjana Gjermiza, të cilët kanë përmbushur rolin e tyre me përkushtim dhe seriozitet.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në Kukës dhe njëkohësisht i gjithë komuniteti mediatik në këtë qytet, përbëhet nga 17 anëtarë, gazetarë dhe operatorë. Punojnë të ndarë në dy televizione audio-vizive vendore dhe në të gjitha televizionet kombëtare për të përcjellë aktualitetin dhe jo vetëm nga qarku Kukës, por dhe në zonë të tjera e veçanërisht, nga Kosova.
Zyra Informuese
Dega UGSH, Qarku Kukës












