Votojnë demokratët, zëvendësohet Edi Paloka, zgjidhet kryetari i ri i Këshillit Kombëtar, ja kush janë sekretarët.
Kryetare e Këshillit Kombëtar do të jetë Arta Sakja. Ky ka qenë vendimi që morën sot demokratët në mbledhjen e Këshillit, që nisi pak më parë. Sakja do të zëvendësojë Edi Palokën, i cili u shkarkua nga kjo detyrë më 12 dhjetor nga mbledhja e Kryesisë, pasi mori pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Gazetari Osman Sfata konfirmon për BalkanWeb se sekretar Organizativ është zgjedhur Flamur Hoxha, ndërsa sekretar për çështjet zgjedhore do të jetë Indrit Sefa. Mësohet se Kreshnik Çollaku do të jetë sekretar për emigracionin, ndërsa sekretariati për Decentralizimin është Roland Bejko.
Para disa ditësh, anëtarët e Këshillit Kombëtar votuan pro shkarkimit të disa sekretarëve, Ervin Minarollit, Ivi Kasos, Belind Këlliçit dhe Ledina Mandia.
Kujtojmë se prej disa muajsh situata në PD ka qenë e trazuar për shkak të ‘përplasjes’ mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Ish-kryeministri ka shkuar 3 herë në selinë e PD, ndërkohë që para dy ditë më parë një nga shoqëruesit te tij shkelmoi edhe derën e një prej sallave të kësaj partie.