-Zbulohet letra e Bin Laden në vitin 2010: Vrisni Obamën sepse Biden është i paaftë…
Kreu i “Al Kaedës”, Osama bin Laden, ndaloi operacionet që synonin të vrisnin Joe Biden, sepse sipas tij demokrati do të ishte një President i paaftë dhe do t’i “çonte SHBA-të në krizë” nëse xhihadistët do të ishin të suksesshëm në vrasjen e Barak Obamës.
Bin Laden e mbajti këtë qëndrim në një letër të vitit 2010 që u gjet në një mori dokumentesh në kompleksin e Pakistanit, ku ai u vra nga forcat speciale amerikane në 2011.
Dokumenti u bë publik për herë të parë në vitin 2012, por është nxjerrë sërish në dritë dhe i është dhënë një rëndësi e re në kulmin e tërheqjes kaotike të SHBA-ve nga Afganistani, duke u dhënë vendin përsëri talebanëve.
Bin Laden, udhëheqësi i atëhershëm i Al Kaedës dhe njeriu që Amerika shkoi në Afganistan për ta vrarë, shkroi direktivat e tij në një dokument prej 48 faqesh në maj 2010. Ato i shkroi me anë të një ndihmësi të identifikuar si “Vëllai Shejh Mahmud’, emri i vërtetë i të cilit është Atiyah Abd al-Rahman.
Në këtë document, ai shtron nevojën për të drejtuar forcat larg sulmeve terroriste në vendet e tjera myslimane, duke u përqendruar në sulmet direkte kundër Shteteve të Bashkuara.
Në faqen 36, ai përshkruan dëshirën e tij për të formuar dy skuadra goditëse, njëra në Pakistan dhe një tjetër në Afganistan. Puna e tyre do të ishte organizimi i sulmeve kundër Presidentit të atëhershëm amerikan Barack Obama dhe ish-drejtorit të CIA-s, David Petraeus, nëse ata do të vizitonin njërin nga këto vende.
“Obama është kreu i pabesisë dhe vrasja e tij automatikisht do të bëjë që Biden të marrë presidencën për pjesën e mbetur të mandatit, pasi është ligj atje. Biden është plotësisht i papërgatitur për atë post dhe do t’i çojë SHBA-të në krizë” – shkruante Osama Bin Laden.
Sa për ish-kreun e CIA-s, Petraeus, ai shkruante se “është njeriu i duhur në këtë vit të fundit të luftës dhe vrasja e tij do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve”.