Disa persona që mund të kenë lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje në komisariatin e policisë në Fier për të zbuluar autorët dhe motivet e atentatit ndaj biznesmenit Demir Backa.
57- vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij, të parkuar në një rrethrrotullim vetëm pak metra larg postbllokut të policisë në Fier.
Policia nuk jep detaje për hetimet apo se kush u mor në pyetje, ndërsa mësohet se një prej pistave është dhe konflikti i biznesmenit Backa me një tjetër person djali i të cilit ka ngacmuar pak kohë më parë mbesën e viktimës.
Makina e krimit, një “Mercedez Benz” me targa kosovare u gjet pak kilometra larg vendit të krimit, në afërsi të Spitalit Memorial në Fier.
Policia po verifikon nëse targat janë false apo të vërteta, dhe në rast se po, kur ka hyre ky automjet në Shqipëri, apo pronësia e tij.
Në makinë u gjetën një arme zjarri kallashnikov dhe një pistolete që dyshohet se janë përdorur në krim.
Në vendngjarje po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë si dhe janë thirrur për të dëshmuar kalimtarët e rastit. Gjithsesi përtej hetimeve intensive për këte ngjarje të rëndë e cila tronditi jo vetëm familjarët e viktimës por gjithë qytetin e Fierit duhet thënë se viktima e atentatit në Fier Demir Backa nuk rezultonte problematik dhe me konflikte të hapura!