Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi të enjten në Fier, ku mbeti i vrarë, 41-vjeçari Elton Javori. Autori, Agim Gashi afroi automjetin pranë makinës në të cilën ndodhej 41-vjeçari dhe pas të shtënave, u larguar me shpejtësi.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Karamuço deklaroi se kjo vrasje hapi një tjetër kuti Pandore dhe lidhet me njerëz të fuqishëm të qytetit. Ai theksoi se nuk është përplasje gjaknxehtë, por me një prapavijë.
“Sa herë ndodhin ngjarje në Fier, vrasje, ose janë vrasje që ndodhin në fshatrat për motive të dobëta, por kur ndodhin brenda në qytet kanë një prapavijë shumë të fuqishme të grupeve apo të fiseve. Nuk mendoj që ishte një përplasje individësh gjakënxehtë, sepse kanë lidhje me grupe të caktuara, me njerëz shumë të fuqishëm të qytetit. Edhe kur ndodhin këto lloj përplasjesh, nuk është kështu. Unë edhe dje po i shkruaja dikujt, ‘u hap një kuti Pandore e re’. Aty të mban tjetri inat, e ke goditur publikisht, sedër e madhe dhe pastaj janë të vetmit njerëz problematikë në Shqipëri që hakmarrjen e kanë si ajo gjella e ftohtë, kur t’i e ke harruar se çfarë të ka ndodhur, atëherë të godasin”, tha Karamuço.