Vrasja e Eglantina Bucit, xhaxhai shkon në polici dhe kërkon eshtrat e saj: Duam t’i bëjmë varrimin
Bashkim Buci, xhaxhai i Eglantina Bucit, e cila u vra në 2012 në Malin me Gropa nga vëllai me urdhër të babait, për çështje nderi, ka kërkuar eshtrat e saj që t’i bëjë varrimin.
Xhaxhai ka shkuar në policinë e Tiranës dhe ka kërkuar që t’ japin eshtrat e mbesës që t’i bëjë varrimin. por nuk i janë dhënë pasi ende vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes. Pritet urdhri i prokurorit, pas dorëzimit të kërkesës së Bashkimit.
Vrasja e 23 vjeçares është zbardhur pas 8 vitesh, pasi eshtrat e saj u gjetën rastësisht nga një gjahtar. Ka qenë dëshmitari i kësaj vrasje makabre ai që ka treguar gjithçka, se si babai dhe vëllai, Faik dhe Shkëlzen Buci i ngritën kurth të resë, pasi nuk ishin dakord për bashkëjetesën e saj me një djalë por edhe për jetesën që ajo bënte.