Miratohet me 84 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim, buxheti i shtetit për vitin 2021. Votimi në Kuvend u parapri nga fjala e kryeministrit Edi Rama, i cili nuk ngurroi sërish të deklaronte fitoren e qeverisë përsa i përket menaxhimit të COVID-19, përfshirë dhe arritjet në shëndetësi. Kryeministri premtoi se në buxhetin e vitit 2021 përveç rritjes së pagave me 40% për mjekët dhe infermierët, edhe mësuesit do të kenë rritje, pagash, ndërsa foli edhe për të gjithë qytetarët që nuk e përballojnë dot situatën e vështirë ekonomike.
“Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për periudhën që na duhet tëpërballemi me pandeminë, jo në funksion të të prekurve por atyre që janë pjesë e skemës për ndihmën ekonomike.”-tha Rama, ndërsa nuk dha detaje se kur do të hyjë vendimi në fuqi.
Kryeministri deklaroi se Shqipëria ka paguar një pjesë të parave për të marrë vaksinën kundër COVID. “Kemi paguar kaparin për COVAX, kemi prenotuar për të marrë vaksinën. Jemi në komunikim të përditshëm me BE, unë kam pasur një bisedë të gjatë me presidentet e Komisionit”, tha Rama.
Kryeministri gjithashtu mbrojti punën e qeverisë në lidhje me spitalet dhe tha se qeveria që ai drejton por edhe familjarët e tij, nuk kanë shkuar në spitale private në Turqi, por janë kuruar në Shqipëri.
Më herët, në Kuvend pati edhe një interpelancë për rendin dhe sigurinë publike. Deputeti Korab Lita, pyeti ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe e akuzoi atë se e ka katandisur policinë në një gjendje mjeruese, ndërsa ministri u mbrojt duke thënë se shifrat janë të pakrahasueshme me vitin 2013.
Seanca përfundoi me miratimin e buxhetit, ku përveç fondit për rimbursimin e ilaçeve në vlerën e 12 miliardë lekëve, një shumë prej 560 milionë lekë, ka shkuar për pagat e naftëtarëve. Në buxhet u parashikua edhe, rritja e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Turizmit më përkatësisht + 350 mln lekë (MFE garanton vetëm +200 mln lekë) dhe +100 milionë lekë. Buxheti i Kuvendit u rrit me 100 milionë lekë, KLSH-ja mori 3 milionë lekë; Ministria e Bujqësisë Shkolla e Magjistraturës + 60 milionë lekë; KLP +3 milionë lekë; Akademia e Shkenca +10 milionë lekë; RTSH +36 milionë lekë. Fonde do të përfitojë edhe KQZ-ja dhe ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar.