Vazhdon përplasja mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama. Shpërndarja e dekoratave është kthyer në “mollë sherri” mes dy palëve, ndërkohë që kreu i shtetit këmbëngul për përballje në debat. Rama e ironizon por nuk jep asnjë përgjigje për një përballje të mundshme.
TIRANË- Dekoratat janë kthyer në “mollën e sherrit” mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta. Ndryshe nga çdo mëngjes tjetër, sot kreu i shtetit nuk i dedikoi asnjë status thumbues në rrjetet e tij sociale, por kryeministri Edi Rama nuk ngurroi që ta përmendte gjatë konferencës për shtyp për bujqësinë, ku rikujtoi që nga dita e enjte do të gjobitet kush nuk mban maskë në publik.
Rama i sugjeroi Metës që të stampojë në maskën e tij, Vojo Kushin. Kaq mjaftoi që të zgjonte reagime në godinën pak metra më poshtë bulevardit, nga ku presidenti Meta shkruan se kryeministri me anë të këtyre fjalëve, ka fyer sërish simbolin e Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut që dhanë jetën për Atdheun. Por nuk ka harruar që ta ftojë sërish për përballje publike, duke e shoqëruar postimin e tij me një karikaturë ku shfaqej ai dhe Rama.
Edhe kreu i qeverisë nuk e ka kursyer reagimin, duke i sugjeruar presidentit Meta që “idhujt” t’i mbajë në mendje e zemër dhe mos t’i përdorë për kauzat e tij. Në reagimin e tij, Rama shton se Meta duhet ta ndalojë shpërndarjen e dekoratave, pasi është kthyer në një komedi për të gjithë vendin.
As Meta nuk e ka kursyer përgjigjen… Duke iu referuar përshkrimit të Ramës për kryedemokratin Lulzim Basha si “trendi”, Meta i kërkoi sërish një datë, orë dhe vend për t’u përballur.
Si nisi debati në distancë Meta-Rama?
Presidenti Ilir Meta prej kohësh akuzon maxhorancën se ka kapur të gjitha pushtetet dhe se më 25 prill do të kujdeset ai që vota të mos cënohet dhe “Rilindja” të largohet. Më pas, debati kaloi tek dekorimi që Meta iu bën heronjëve të popullit. Rama e ironizoi se do të dekorojë edhe Skënderbeun, duke shtuar se Meta po shkel protokollin e shtetit. Presidenti i ka kthyer përgjigje vetë Ramës për çdo deklaratë tijën, duke i kërkuar me ngulm përballje në debat, të cilën kryeministri ia ka kërkuar që ta bëjë me Monika Kryemadhin dhe Lulzim Bashën, fillimisht për të ndarë kush e udhëheq opozitën e vendit. Ndërsa thirrjeve të tjera, Rama nuk i është përgjigjur.