Një 65-vjeçar i identifikuar si Faik Veliu është plagosur me armë zjarri. Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël në Lushnjë. Mësohet se personi që e ka qëlluar me armë 65-vjeçarin është vëllai i tij, Sami Veliu, i cili është prangosur vetëm një orë pas ngjarjes.
Ai i ka zënë prite të vëllait me kallashnikov në momentin që 65-vjeçari po ushqente bagëtitë. I plagosuri ka marrë tre plumba, një në gjoks dhe dy në zonën e barkut dhe është dërguar drejt spitalit të Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Nuk dihet ende se cili ka qenë shaku që ka përplasur të dy vëllezërit dhe ka bërë që njëri prej tyre të qëllojë me armë zjarri drejt tjetrit, në derën e tij të shtëpisë.
Policia ka sekuestruar dhe arma e zjarrit me të cilën autori kreu plagosjen. Rrethanat janë ende të paqarta. Vetë Sami Veliu nuk ka rrëfyer ende shkakun për të cilin e ka plagosur të vëllanë. Dy vëllezërit i kanë shtëpitë ngjitur me njëri-tjetrin.