Tri orë pas video-mesazhit të kryeministrit Edi Rama, i cili hodhi poshtë akuzat e ngritura nga Partia Demokratike, se qeveria ka fshehur shifrat e viktimave të COVID19, vetë numri një i selisë blu, i është përgjigjur me një tjetër deklaratë për mediat. Në një video-mesazh të shpërndarë për mediat, Basha i kërkon Ramës që nëse nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë të pranojë një hetim të plotë të denoncimit të bërë nga PD.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën. Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.
Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë. Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria. Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë. Njerëzit po vdesin përditë. Spitalet po kolapsohen. Biznesi po falimenton. Varfëria dhe papunësia po rriten.
Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave. Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë.
Dy netë më parë, kryetari i PD, Lulzim Basha akuzoi qeverinë se po fsheh shifrat e të vdekurve me COVID19. Basha tha se janë 923 viktima në total, duke fshehur një numër prej 414 personash, që kryedemokrati deklaroi se disponon edhe emrat. Por sot, Kryeministri Edi Rama ka mohuar me forcë këtë akuzë dhe tha se qeveria nuk ka mundësi as “teorike dhe as praktike” që të fshehë numrat e viktimave, por pa sqaruar protokollin që ndiqet në spitale pas vdekjes së pacientëve dhe përcaktimit të diagnozës, ‘vdekje covid dhe jo covid’.