Zbardhet SKEMA E MASHTRIMIT: Si “Call Center-i” në Tiranë i zhvati shtetases gjermane 9,700 €
Prej dy ditësh, 13 kompani Call Center në Shqipëri janë vënë nën “shënjestër” për shkak se dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash përmes skemave mashtruese, ku ‘viktima’ kanë qenë shtetas të huaj nga vendet e BE-së. Operatorët e këtyre “Call Center-ave“ kanë bindur shtetas të ndryshëm që të investojnë kapitalet e tyre në bursë me qëllim që ato të konvertohen në kriptomonedha dhe më pas të bëhen milionerë.
Ditën e djeshme u publikua edhe letërporosia e autoriteteve gjermane drejtuar autoriteteve në Shqipëri, nga ku rezultonte se shtetasja gjermane Janet Schafer, nga nëntori i vitit të kaluar deri në janar 2021, ka transferuar shumën totale prej 9,700 euro në llogari të një kompanie “Call Center-i” në Tiranë. Mirëpo kjo vlerë nuk iu kthye asnjëherë në kriptomonedhë. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shumat e parave u tërhoqën përmes nje llogarie bankare në Lituani.
Letërporosia nga Gjermania:
Zyra jonë po kryen një hetim paraprak kundër një personi të panjohur, të akuzuar si i dyshuar për mashtrim në përputhje me Seksionin 263 (1) të Kodit Penal gjerman, i cili bazohet në faktet e mëposhtme: Autorë të panjohur tërheqin vëmendjen e klientëve të mundshëm duke reklamuar investime të pretenduara në kriptomonedhë. Duke vepruar kështu, autorët e panjohur premtojnë fitime të larta nga fondet e depozituara. Pasi të jetë kryer kontakti, autorët e panjohur i nxisin palët e dëmtuara të transferojnë para në llogaritë bankare në Gjermani dhe shtete të tjera, në të cilat autorët e panjohur mund të kenë akses direkt ose përmes të ashtuquajturve agjentë financiarë. Në disa raste, autorët e panjohur gjithashtu kryejnë transfertat vetë, nëse palët e dëmtuara i lejojnë të kenë akses në kompjuterët e tyre, për shembull përmes softuerit ‘Anydesk’. Ndonëse palët e dëmtuara besojnë se autorët e panjohur do të investojnë paratë e tyre në kriptomonedhë, autorët synojnë t’i mbajnë paratë ose kriptomonedhat për vete. Si rregull shumat e depozituara nuk kthehen kurrë. Në periudhën nga nëntori 2020, deri në janar 2021, Janet Schefer, e cila u mashtrua në këtë mënyrë, transferoi shumën totale prej 9700 euro. Paratë nuk u kthyen. Paratë u transferuan në llogaritë lituaneze. Këto llogari u aksesuan nga adresa të ndryshme IP të disa kompanive telekomunikacioni, për të cilat kërkojmë të dhënat e inventarit.