Thellohet skandali me foton e Enver Hoxhës/ Deputeti i PS nxjerr “blof” Ballën
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka tentuar të justifikojë deputetin socialist Bujar Çela, në lidhje me skandalin e një ditë më parë, ku uroi festën e Flamurit me foton e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Në një prononcim për mediat, Balla në tentativë për të justifikuar skandalin në fjalë, tha sot se dikush i ka marrë celularin deputetit.
Unë kam marrë një sqarim nga deputeti në fjalë, që bëhet fjalë për përdorim të aparatit të tij celular nga persona të tjerë. Kjo do të jetë pjesë e një verifikimi në aspektin e kodit të sjelljes dhe etikës brenda grupit parlamentar dhe çdo masë ndëshkimore do të merret në momentin që do të ketë verifikime. Do i kërkoja të gjithë kolegëve të tjerë të raportojnë raste të tilla dhe natyrshëm që grupi parlamentar i PS ka të gjithë instrumentet e nevojshme për të ndërmarrë çdo lloj hapi apo mase disiplinore”, tha Balla.
Por, deputeti Çela ka vijuar të këmbëngulë në të tijën, jo vetëm duke thelluar skandalin, por edhe duke nxjerrë “blof” Taulant Ballën.
Në një prononcim për mediat, Çela tha se Enver Hoxha nuk është një figurë nul por një udhëheqës që ka dhënë kontributin e tij.
“Unë pres pyetje të tilla, sepse i përkas atyre që e njohin luftën dhe mendoj që figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe ai kontribute, përderisa ne nuk kemi gjetur një udhëheqës tjetër që e ka udhëhequr luftën. Po të jetë se ka një person që pretendon se gjyshja apo gjyshi i tyre ka udhëhequr këtë luftë të shprehet. Historianët janë aty, letrat janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht armiq, kriminela, këto fakte janë nga më të ndryshëm, që nga Balli Kombëtar, Legaliteti. Në atë komision ka nipër të Isa Toskës. Unë nuk e harroj historinë nga ku kemi ardhur ne sot”, tha Çela.