Kryeministri Edi Rama, ka folur sot në Këshillin e Atlantikut mbi sfidat e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendit dhe rajonit. Ndër të tjera, kryeministri komentoi edhe qasjen e Kosovës përballë Serbisë, duke thënë se nëse autoritetet e Kosovës do t’i përmbahen asaj që kanë nisur në marrëveshjen në parim, siç është shprehur dhe kryeministri Kurti në Bruksel, do të jetë e jashtëzakonshme për hir të Kosovës dhe rajonit.
Rama vuri në dukje se “kemi probleme për të zgjidhur. Kemi ende një elefant të madh në dhomë që ende nuk na jep atë pjesëzën e fundit që është njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.
Rama deklaroi se çështja mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të zgjidhet përfundimisht me njohjen e plotë të pavarësisë së Kosovës dhe vendosjen e paqes.
“Kjo situatë që është përmirësuar shumë nëse marrim në konsiderate që deri 10 vjet më parë ne nuk flisnim as me njëri-tjetrin, duhet të trajtojë e të zgjidhë këtë çështje midis Kosovës dhe Serbisë me një njohje të plotë të Kosovës dhe praktikisht me paqen përfundimtare! Është përgjegjësi e Beogradit që shpalli zi kombëtare në nder të kriminelëve. Duhet të mos biem pre e përshkallëzimeve dhe të trefishojmë përpjekjet për të bërë paqe.
Jam i inkurajuar nga ndryshimi në qasjen e autoriteteve të Kosovës dhe duke pranuar në parim asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës dhe qeveria kanë dëshmuar vullnet të rëndësishëm për të ecur para dhe për të kërkuar zgjidhje e jo alibi,” – deklaroi Rama.