NGA ADRIATIK DOÇI:
SPAK-u i Altin Dumanit si SHIK-u i Gazidedes me revanshin ndaj gazetarit Elton Qyno
Një skuadër e BKH-së, me kërkesë Behar Dibrës, Altin Dumanit dhe miratim të Atalanta Zeqirajt, ka kërkuar mbrëmë deri në mesnatë dy telefona të gazetarit Elton Qyno.
Përmes një pajisje speciale, që nuhat telefonin përmes numrit dhe valëve, agjentët kanë arritur të gjejnë dy telefonat e punës.
Ndërkaq, agjentë tjerë të BKH-së kanë bërë reprezalje në banesën e gazetarit Elton Qyno dhe në zyrën e tij. Makina është kontrolluar gjithashtu. I kanë sekustruar kompjuterin, dokumente pune dhe sende të tjera.
Për 5 orë ndaj gazetarit Elton Qyno është ushtruar presion psikologjik për të treguar burimin e lajmeve, të cilat pretendohet se kanë ekspozuar sekrete hetimore, të cilat nuk i kishte as vetë SPAK-u.
Së pari, nxjerrja e sekretit hetimor nuk është fare në komptencë të SPAK-ut. (Neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale).
Së dyti, detyra e gazetarit nuk është të ruajë sekretet e shtetit, por të informojë publikun. Sekretin duhet ta mbrojnë zyrtarët që prodhojnë, administrojnë dhe ndajnë informacionin sekret.
Së treti, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriu përmes disa vendimeve, i ka gjetur në shkelje të nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut veprimet policore ndaj gazetarëve, duke përfshirë kontrollin e gazetarëve, kontrollin e banesave, sekuestrimin e kompjuterave, telefonave dhe çdo materiali që mund të ekspozojë burimet, shtrëngimin e gazetarit për të treguar burimin, madje edhe disa vendime gjyqësore për të treguar burimin.
Së katërti, Kodi i Procedurës Penale, neni 159, i jep të drejtë gazetarit të mbrojë burimin e informacionit, me përjashtim të rasteve kur gjykata e urdhëron me vendim me kusht që burimi të përbëjë një provë themelore për të zbardhur një ngjarje.
Së pesti, rekomandimit Nr. R (00) 7 i Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare të BE-së përcakton të drejtën e gazetarëve që të mos zbulojnë burimet e tyre të informacionit.
Së gjashti, gazetarët kanë obligim etik që të mos zbulojnë burimet e tyre të informacionit. Kjo përgjegjësi është e rregulluar pothuajse me të gjitha kodet etike të gazetarëve në botë. Edhe Kosova ka ligj të posaçëm për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve.
Së shtati, edhe nëse gjykata urdhëron zbulimin e burimit, gazetari ka të drejtë të sfidojë gjykatën duke mos e zbatuar urdhrin, duke pranuar ndëshkimin me gjobë ose burg.
Veprimet e SPAK ndaj gazetarit Elton Qyno janë në shkelje flagrante të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (neni 10), të Kushtetutës së Shqipërisë (neni 22) dhe të Kodit të Procedurës Penale (neni 159). ( Adriatik Doçi)