Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një incident të regjistruar në Samitin e Berlinit mes ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Angela Merkel e Emmanuel Macron.
Pa përmendur emrin, Rama teksa sqaronte edhe njëherë kritikët për Ballkanin e Hapur, shkruan se një lider i Kosovës e bëri vendin lolo para ndërkombëtarëve, kur tha ‘s’më ha luli mua për këto’. Ky episod është regjistruar në Samitin e Berlinit dhe sipas kryeministrit, bëri që të humbiste rastin historik që t’ia hiqte vizat Kosovës.
“E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike,”- shkruante Rama ndër të tjera.
Kryeministri Rama iu përgjigj sot kritikëve të Ballkanit të Haur, teksa në një shënim të gjatë në Facebook, shkruante se Kosova nuk mund ta arrijë paqen përfundimtare me Serbinë me anë të një monologu. Kreu i Qeverisë shtoi se të gjithë e kanë gjetur armikun e Kosovës tek ai, por në fakt ka qenë personi që ka folur dhe në mes të Beogradit për njohjen e Kosovës.