Ekstradimi i fierakes nga Greqia/ Si u arrestua 9 vjet më parë duke transportuar heroinë.
Policia e Shtetit njoftoi dje se, Interpol Tirana kishte mundur të ekstradonte nga Greqia shtetasen Aurela Doksani, 43 vjeç, lindur në Fier.
Doksani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet tona të drejtësisë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, e kishte dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg, për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Njoftimi i Policisë:
“Nga hetimet është provuar se kjo shtetase, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka tentuar të trafikojë drejt Greqisë, në rrugë tokësore, lëndë narkotike të llojit heroinë. Në momentin e arrestimit, më datë 08.08.2011, i është gjetur dhe sekuestruar sasia prej 129.3 gramë lëndë narkotike. Më datë 12.08.2011, Gjykata ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 11.04.2012, ka nxjerrë urdhër për ekzekutimin e vendimit të mësipërm ndaj të dënuarës, për të vuajtur pjesën e dënimit të mbetur pas datës 09.04.2012 (1184 ditë burgim), në burg të sigurisë së zakonshme”.
SI U ARRESTUA 9 VJET MË PARË
Aurela Doksani ishte 34 vjeç kur u arrestua në gusht të 9 viteve më parë, pasi iu gjet heroinë në një çantë, të cilën e mbante të fshehur poshtë sediljes së pasagjerit, në mjetin ku ajo udhëtonte nga vendlindja e saj në drejtim të Greqisë.
Ka qenë Policia Kufitare e Kakavijës ajo që ka zbuluar lëndën narkotike në brendësi të mjetit tip “Hyundai” me targa greke YHO 4924, pronë e Doksanit.
Droga u zbulua në stacionin kufitar të Kakavijës, ku efektivët e kësaj pike kufitare, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në automjetin e Doksanit, kanë arritur të zbulojnë rreth 130 gramë heroinë.
Gjatë momentit të konstatimit të heroinës, Doksani nuk ka reaguar fare, duke qëndruar e heshtur, ndërkohë që u mor në pyetje disa minuta më vonë.
Heroina ndodhej në një çantë dore dhe ishte e futur në një pako të rrumbullakët të mbështjellë me letër ngjitëse ngjyrë kafe. Për të fshehur gjurmët e këtij trafiku, emigrantja që punon dhe jeton në kryeqytetin grek, kishte marrë me vete edhe të birin e saj 10-vjeçar, poshtë këmbëve të të cilit qëndronte e fshehur lënda narkotike.