Nga Ilir Kadia
…Si sot 19 vjet më parë, gati një orë përpara se të hyja në studiot e Londrës për programin e mbrëmjes të BBC në Shqip lexova në Balkanweb lajmin e vdekjes të Teodor Kekos.I’a them i tronditur menjëherë Julia Gogës,shefes së seksionit,dhe ajo më thotë,verifikoje dhe bëj diçka! Mora në telefon Ilir Kekon dhe, ai rrugës për në Janinë më thotë se po, Dori na kish lënë.I mora dy tre miq poetë në telefon nga studio por vetëm Ilirian Zhupa gjeti forca të mbajë ngashërimin dhe të bëjë një minutë vlerësim për poetin, dhe mikun e vërtetë të njeriut, Teodor Keko.
Harrova! BBC në Shqip atë mbrëmje, në mënyrë të pazakontë, me vdekjen e tij hapi lajmet!
Teodor Keko.:
“Kur e di se do të vdesësh…..
Kur e di se do të vdesësh
pemët kanë më shumë lule dhe më shumë yje qielli ka.
Më të mirë dhe më të çuditshëm janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit të tyre është vetë vdekja.
Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u rrëzuar
dhe njerzit nuk lindin për t’u bërë të liq.
Më mirë ta dish se do të vdesësh!
Lulet lule do të jenë dhe nuk do të kundërmojnë më trishtimin
dhe njerzit do të kthehen më shpesh te distrubutori i harruar
të furnizojnë falas me besim”…..
Selanik 26.5.2002 ose dy muaj e tre javë para vdekjes…