Situatë katastrofike në Shijak/ Kazanët të tejmbushur, mbeturinat derdhen në rrugë e trotuare
Prej disa ditësh qyteti i Shijakut është mbuluar nga mbeturinat, pirgjet e të cilave gjenden në çdo rrugice. Kazanët e papastruar janë tejmbushur, duke bërë që mbeturinat të derdhen në rrugë e trotuare. Deri më tani autoritetet lokale nuk kanë marrë asnjë masë për situatën, e cila eshte shndërruar në një problem të madh për banorët. Ata ndihen të shqetësuar nga era e rëndë e padurueshme që është përhapur kudo, por edhe nga rreziku që sjell dekompozimi i mbeturinave nën temperaturat e larta. Gazetarja Dorjana Bezat ishte në Shijak dhe bisedoi me kreun e Bashkisë, sipas të cilit, shkak për situatën është koha e nevojshme që kërkon nënshkrimi i marrëveshjes me landfillin e Sharrës.
Ndërkaq të pyetur nga News24, burime zyrtare nga Landfilli thonë se bashkia e Shijakut nuk e ka firmosur atë dhe nuk ka pranuar t’i depozitojë mbetjet falas, deri në përfundimin e marrëveshjes. Më keq akoma është situata në lindje të qytetit, në Shilorje, ku është gjetur një zgjidhje në dëm të shëndetit të qytetarëve. Aty po digjen mbetje urbane duke nxjerrë shtëllunga tymi helmues me erë të rëndë. Në pritje të zgjidhjes së situatës, banorët durojnë situatën e rëndë të shkaktuar nga mbeturinat në qytet.