Azoti luan një rol të rëndësishëm në rritjen e bimëve si dhe formimin e frutave të tyre.
Bimët e marrin atë drejtpërdrejt nga toka, në mënyrë natyrale, por edhe në mënyrë artificiale, me anë të nitrateve, njohur si plehra kimikë.
Një nga bimët që ka shumë nevojë për azot dhe që e kërkon nitratin si domosdoshmëri është pikërisht shalqiri – frut i zakonshëm i verës për të gjithë shqiptarët.
Por sa i rrezikshëm është nitrati në frutin e shalqirit?
Fermerët shqiptarë pranojnë se pothuaj në asnjë rast nuk e rrisin shalqirin pa përdorur nitrate. Përndryshe fati i biznesit të tyre do të ishte një humbje e paracaktuar.
Ajo që ata sigurojnë është se përdorimi i nitrateve bëhet në masën e duhur dhe shpesh në sasi më të pakët edhe se sa gjatë kohës së komunizmit, periudhë për të cilën të gjithë kanë përshtypje se konsumonin produkte bio.
Por një pjesë e fermerëve e tejkalojnë masën në përdorimin e nitrateve, duke hedhur në treg produkte të rrezikshme.
Arsyeja që i shtyn drejt këtij veprimi është vetëm fitimi.
Kjo sepse një frut shalqiri i trajtuar me nitrat (vaditje) një apo dy ditë përpara se të këputet, është më i madh (ka peshë më të madhe, rrjedhimisht fitim më të shtuar) dhe më i bukur për syrin e konsumatorit.
Por pikërisht ky frut, i trajtuar me nitrat amoni, ure e ndonjë kimikat tjetër gjatë gjithë periudhës së rritjes dhe për më keq një apo dy ditë para se të vilet, është i rrezikshëm për jetën e njeriut.
Nga përvoja e konsumatorëve, fruta të tilla, sapo hapen, nxjerrin një aromë apo duhmë që të shkakton ndjenjën e vjelljes dhe kanë pamje të ndryshme nga një frut i shëndoshë.
Një pjesë, që njohin aromën e nitrat amonit apo uresë së tretur në ujë, e përcaktojnë si të tillë, ndërsa pjesa tjetër që nuk i njeh këta plehra kimikë, kanë përshtypjen se shalqiri vjen erë sapun.
Në të gjitha rastet një frut i tillë jo vetëm që nuk është i shëndetshëm, por mund të rrezikojnë helmimin e konsumatorit.
Më poshtë po paraqesim disa shenja se si të dallojmë një frut shalqiri të trajtuar me nitrat:
1-Shalqiri duhet të jetë adekuat me peshën, jo shumë i madh dhe jo shumë i vogël.
2-Nëse një shalqi i prerë lëshon aromë acidike, shpesh të thartë – nuk duhet të konsumohet në asnjë rast, pasi mund të shkaktojë helmim ushqimor.
3- Ngjyra e tulit të shalqirit me nitrat shpesh shfaqet e zbardhur me nuanca të ngjyrës vjollce, ndërsa fijet në brendësi të tulit shpesh marrin ngjyrë jeshile të hapur.
4-Në shalqirin me nitrat faqja e prerë me thikë është e lëmuar dhe me shkëlqim, ndërsa në shalqirin e shëndoshë sipërfaqja mbushet me kokrriza.
5-Nëse shalqirin me nitrat do e shtypim në majën e tij, ai shpesh paraqitet i fortë, ndërsa një kokërr e shëndetshme paraqitet e butë.
6-Farat të brendësi të tulit të një shalqiri të shëndoshë duhet të jenë të gjitha të zeza, ndërkohë që në një frut me nitrat gjysmat e farave, apo më tepër, shfaqen të bardha.
Nga Nevila Dervishi