NË VLORË; FESTIVAL ME ZEJE, AVAZE E POLIFONI 13, 14 nëntor 2020-
Është zhvilluar në qytetin e Vlorës aktiviteti kulturor me okeljon përmbledhur në tri fjalë: Zeje, Avaze, Polifoni.
Organizuar nga Qendra Kulturore ” Aulona”, në bashkëpunim me Bashkinë dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Vlorë.
Aktiviteti vjen si një projekt i Qendrës Kulturore ” Aulona” i mbështetur nga Ministria e Kulturës.
I zhvilluar në mjediset e Qendrës Historike të Vlorës, rikostruktuar së fundi e kthyer në një atraksion të mirëfilltë historik, kulturor e turistik, aktiviteti shënoi një performancë nga më të bukurat në kalendarin kulturor të këtij qyteti.
Çdo gjë e konceptuar dhe ideuar në promocion të trashëgimisë kulturore por e parë si një sinergji mes shpirtëroresh dhe trashëgimisë materiale të lujtshme.
Të gjithë artizanët e pranishëm, pjesë e projektit, mjeshtra të punimit në dru, në prodhimin e cylave dyjare por edhe produkteve të tjera si objekte të njohura për mjediset baritore e jetës blektorale e bujqësore.
I prezantuan këto produkte artizanët Axhi Dapaj, Dushan Mezinaj, Mete Koshena, Ferjat Bilalaj, Kujtim Lapa, Axhem Binaj e Eneriada Myrseli.
Ndërkohë që Musa Ferunaj nga Dukati, na solli prerjen dhe qepjen e kostumeve tradicionale të Labërisë, kostumet që vijnë si trashëgimi brezash me shajak, poture, xhamadan e fustanellë.
Po edhe veshjen e labëreshave me tumane, këmisha e peshlli.
Një atraksion më vehte dhe krejt i veçantë punimet e Selman Pazoj nga Vranishti.
Cylat dyjare në gur një vlerë e rrallë e expos me zeje e avaze.
I vetmi njeri në Shqipëri që realizon Cyla Dyjare në gur, jo thjesht si syvenir, të gjitha funksionale.
Selman Pazoj është njeriu që ka bërë gurin të kthehet në dyjare e mandej të bilbilojë, të nxjerrë melodi e avaze labërie.
Takimi i instrumentistave popullorë një gjetje më vehte e këtij aktiviteti.
“Zeje, avaze e polifoni” bëri bashkë dhjetë më të mirët e Vlorës dhe rrethinave, si kurrë më parë ndodhur.
U bënë bashkë në skenë Nazër Kongjinaj nga Brataj, laureant i Festivalit Folklorik të Gjirokastrës 1973 e 1978 me Vendim Kapaj, ” Mjeshtër i Madh”, Sofo Daupi nga Tragjasi, Syrja Brahimi nga Dukati, Sinan Gjoleka e Lavdosh Shkurtaj nga Vranishti, Ervin Bilalaj nga Gumenica, Sefer Gjika nga Vajza.
Si asnjëherë tjetër Muradia dhe rruga muze ” Justin Godar” u bushën me tinguj e avaze të rralla labërie, melodi pastorane po edhe vaje e derte që vetëm përmes brimave të fyejve e longarëve mund të dalin.
Takimi i instrumentistëve popullorë, i pari i këtij lloi si aktivitet më vehte, u konceptua nga organizatorët edhe si një ballafaqim garues.
Juria e përbërë nga Artur Dhamo,”Mjeshtër i Madh”, Kozma Billa e Nazër Kongjinaj në fund vlerësoi me çmimin e parë, Vendim Kspaj, “Mjeshtër i Madh”, me çmimin e dytë, Sinan Gjoleka, ndërkohe që me çmim të tretë u vlerësuan Syrja Brahimaj e Sofo Daupi.
Theksojmë se Sinan Gjoleka interpretimin e realizoi me Dyjare prej guri, marrë drejtpërdrejt nga stenda e bashkëfshatarit të tij, Selman Pazoj.
Çmimi për instrumentidtin më të ri të festivalit shkoi për Ervin Bilalaj, djalin e artizanit prodhues të cylave dyjare Ferat Bilalaj.
Aktiviteti u shoqërua edhe me tinguj të gjallë iso-polifonikë të cilat u “derdhën” nga grupi i Dukatit, Vranishtit, Kotës, Ramicës, ” Bilbili” e ” Ballkoni i Vlorës”
Aktiviteti u zhvillua si pjesë e axhendës së Bashkisë së Vlorës në kuadrin e festave të Nëntorit po edhe si simbolikë kujtese e nderimi në vigjilie të 25 Nëntorit, 15 vjetorit të çertifikimit të Iso-Polifonisë shqiptare nga UNESCO.
Aktiviteti u përcoll nga afër nga qytetarë pasionantë e specialistë të trashëgimisë kulturore si dhe kryetari i bashkisë, Z. Dritan Leli, deputetja Vilma Bello e drejtues të tjerë të pushtetit vendor e institucioneve të Vlorës.
Parë në tërësi e si një të tërë, duke marrë parasysh edhe kufizimet e diktuara nga situata shëndetësore e vendit, aktiviteti ” Zeje, Avaze e Polifoni”, shënoi një përpjekje serioze e me mjaft vlera në fushën e trashëgimisë kulrurore.
Domosdoshmëria për të patur aktivitete kulturore e artistike edhe pse në kushte jo të zakonshme, këtë herë duket se fitoi mbi vështirësitë.
Falë shpirtit dhe angazhimit të artizanëve mjeshtra, përpunues në dru por edhe instrumentistave popullorë e këngëtarëve të polifonisë.
Por edhe falë vizionit e bashkëpunimit mes institucioneve vendore e qëndrore dhe dashurisë shpirtërore për ti dhënë komunitetit aktivitete që përcjellin vlera e mesazhe të forta jete e trashëgimie.
Aktiviteti u mbyll përmes një koktejli duke shijuar produktet artizanale nga kantinat e verës ” Balaj” e ” Dukati”.