PKK Hani Hotit – Prononcom i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për media:
Rikthehet normaliteti në qarkullimin e qytetarëve, të mallrave, mes dy vendeve këtu në këtë pikë të kalimit të kufirit. Konstatoj me kënaqësi që flukset po shkojnë drejt normalitetit, qoftë fluksi i qarkullimit të qytetarëve, po ashtu dhe fluksi i lëvizjes së mallrave.
Është rasti ndoshta për ta falenderuar Qeverinë e Malit të Zi, Ministrinë e Brendshme dhe vetë ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, për vendosjen në të njëjtin standard në lirinë e qarkullimit, të lëvizjes së qytetarëve dhe të mallrave në këtë pikë.
Është si të thuash është vendi i parë që ka hapur qarkullimin me ne, dhe po ashtu ne me ta.
Mbetet me rëndësi për forcat e Policisë së Shtetit ritja e vëmendjes tashmë që shtohet fluksi i lëvizjes dhe është liruar tërësisht regjimi, për të mbajtur në kontroll sigurinë. Sigurinë në kuptimin e kontrollit të emigracionit të paligjshëm, i cili me lirimin e lëvizjes fillon të rrisë fluksin dhe potencialin për rreziqe të caktuara.
Ka filluar tashmë zbatimi i një plani intensiv për kontrollin e këtij migracioni, por është vendi për ta përsëritur edhe njëherë sot këtu nga Hani i Hotit që kontrolli i migracionit të paligjshëm mbetet një preokupim i lartë për Ministrinë e Brendshme, për Policinë e Shtetit, në mënyrë që të frenohen të gjitha reziqet që lidhen me flukset e pa kontroluara.
Duke filluar nga jugu, para disa ditësh kemi qenë në jug të Shqipërisë në Kakavijë, tashmë jemi në skajin tjetër në veri. Është detyrë e rëndësishme, e përsëris që Policia e Kufirit, policia në tërësi të rrisë masat e kontrollit për të reduktuar çdo rrisk që lidhet me këtë migracion.
Ndërkohë që me hapjen e dalëngadaltë të sezonit turistik do të shtohen shumë kërkesat ndaj policisë, për të forcuar shërbimet pa penguar qarkullimin e lirë. Përkundrazi duke e nxitur qarkullimin e lirë, por njëkohësisht duke u kujdesur që qarkullimi i lirë mos të komprometojë në asnjë mënryrë liritë e lëvizjes, dhe cilësinë e sezonit turistik prej të cilit ne shpresojmë që të marrim kompensimet e nevojshme pas një periudhe të gjatë izolimi dhe kufizimesh.
Pyetje: Z. Ministër, orët e fundit, nëse jeni njohur, ka plasur një skandal në Fushë-Arrëz. Shefi i komisariatit të policisë atje akuzohet për përdhunimin e një 15-vjeçareje dhe SHÇBA ka njoftuar largimin e tij nga detyra. Prej 2015-ës ky kalvar i gjatë denoncimesh të papranuara nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit. A keni një koment për këtë?
Përgjigje: Komenti i parë është lidhur me saktësimin e pyetjes tuaj. Sepse bëtë shumë komente edhe ju përveç pyetjes. Sigurisht që është një ngjarje, e cila ka marrë vëmendjen e menjëhershme të strukturave të Ministrisë së Brendshme. Që dje në darkë është bërë ndalimi jo i shefit të Komisariatit, në fakt ne nuk kemi fare komisariat në Fushë Arrëz, por është një Postë Policie. Megjithatë kjo nuk ka rëndësi të madhe. Rëndësi ka fakti që është pranuar një informacion mbi të cilin është vepruar shpejt për të marrë masat për të goditur fort, madje ndoshta shumë fort në këtë rast.
Ne jemi shumë vigjilentë dhe shumë të gatshëm për të goditur me të gjithë forcën e ligjit duke i shkuar atij deri në skaj. Në fakt kësaj i thonë t’i shkosh ligjit deri në skaj, sa i përket reagimit.
Është për të ardhur keq që konstatojmë që rojet ata që janë të caktuar për të ruajtur interesat e qytetarëve jo rrallë herë bëhen agresorë të tyre.
Rasti për të cilin flisni është krejt në trajtën fillestare, bëhet fjalë për një ngjarje të vitit 2015 e përpara. Ku një vajzë ka rënë pre e dhunës seksuale nga edukatorët e saj në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, me sa jam i informuar deri tani. Por më vonë ka rënë pre edhe e një sjelljeje të ulët, pa dinjitet, kriminale dhe të papranueshme të një punonjësi policie, i cili do të duhet që të mbrohet përpara ligjit.
Ndoshta ka ardhur koha të mendojmë për të rishikuar në thelb qasjen tonë në drejtim të mbrojtjes së viktimave të mundshme të dhunës seksuale dhe kryesisht të fëmijëve dhe të miturve.
Duke shtuar penalitetet në tërësi, por sidomos duhen shtuar, shumëfishuar, çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët. Sepse me sa shohim dëmin dhe gjëmën në shpesh raste na ka ardhur prej atyre, prej rojeve, prej kujdestarëve, prej atyre që zëvendësojnë prindërit dhe kjo është për të ardhur keq.
Sigurisht që nuk është thjesht çështje e ligjit.
Nuk është çështje thjesht e masave penale, është një çështje sensibilizimi shoqëror. Ne na duhet të reflektojmë thellë si shoqëri për t’u distancuar ndaj këtyre rasteve, për të forcuar frontin e bashkëpunimit qytetar në mënyrë që kjo kategori personash, që nuk e meritojnë ndoshta edhe emrin e njeriut, të mund të kufizohet, izolohet dhe të bëhet e padëmshme.
Pyetje: Duhen ndryshuar filtrat e pritjes në polici? Duke qenë se nga 2015 në 2020 flasim për 5 vite. Kam këtu parasysh filtrat edhe të kontrollit, të atyre që nuk i pranojnë të tilla denoncime?
Përgjigje: Nuk mund t’ju them ndonjë gjë, sepse për rastet që flasim nuk besoj që nga ‘15 në ‘18, të kemi patur ndonjë dinamikë tjetër. Megjithatë ne kemi reaguar pas sinjalit të parë por nuk i dimë detajet. Do të duhet që të kërkojmë detaje dhe të marrim masat. Patjetër që do të marrim të gjitha masat që janë të nevojshme.
Ne duhet dhe do të marrim masa të forta sidomos ndaj atyre që kanë detyrën e shenjtë të kujdesen për këta njerëz. Sepse për fat të keq e përsëris duket se shpesh herë rreziku vjen nga ata që janë të caktuar për të bërë rojen, për të bërë prindin, për të bërë kujdestarin.
Pyetje: Ka vend dënimi me vdekje?
Përgjigje: Është një çështje e stër-diskutuar, dënimi me vdekje në Shqipëri është i vdekur. Në kuptimin është i vdekur dhe i pakthyeshëm, sepse nuk është ky mekanizmi. Mekanizmi është parandalimi, sensibilizimi, dënimi i merituar, por vdekja nuk është zgjidhje. Në përgjithësi shtetet në Europë kanë adoptuar prej kohësh formulën që shteti nuk kthehet në kryekriminelin më të madh për të vrarë.
Pyetje: Zoti ministër janë ndodh rreth 89 raste, megjithatë tashmë janë thuajse të gjithë të liruar nga burgu, me një rrezik potencial, sepse janë disa gjëra që nuk mund të kontrollohen. Persona të cilët kanë probleme të tilla sigurisht që mund të vazhdojnë. Ka një një kontroll për këta persona? Qofshin adoleshentë, qofshin të rritur?
Përgjigje: Ne po punojmë intensivisht këto ditë dhe këto orë që flasim për të zhvilluar një instrument të ri, i cili do të trajtojë këtë fenomen të dhunës sidomos në familje, edhe dhunës ndaj të miturve. Për të gjetur rrugë të reja duke besuar që ka nevojë për të zhvilluar instrumente të rinj në këtë punë.
Duke ndërtuar struktura, të cilat do të mund të bëjnë bashkë energjitë e shumë aktorëve: policisë, shkollës, shëndetësisë, institucioneve të përkujdesit social, shoqërisë civile, të të gjithë aktorëve shoqërorë, në mënyrë që kjo çështje të merret në kontroll më të fortë. Besoj që shpejt do të kemi dhe zhvillime të reja sa i përket krijimit të instrumenteve të rinj. Por ajo që ka rëndësi në thelb është krijimi i klimës së lirisë për të denoncuar.
Është shumë e rëndësishme që ne njerëzve t’u krijojmë liri për të denoncuar. Dhe këtu gjej vend për të bërë thirrje edhe medias që mos ta cënojmë këtë lirinë e denoncimit. Për arsye se shpesh herë njerëzit i druhen denoncimit edhe për shkak të mediatizimit të gjërave, të rasteve dhe shpesh herë viktimat e mundshme, ose viktimat reale hezitojnë, sepse i druhen faktit se gjithçka që do të flasim, me këdo që do të flasin do të dalë në media dhe do të artikulohet 100 herë, 100 mijë herë e kështu me rradhë.
I kam ndjekur me trishtim këto ditë rastet, njoftimet ose lajmet e pafundme për një rast shfrytëzim prostitucioni diku në Shqipërinë qendrore ku në mënyrë të habitshme, pasqyrohen të gjitha dialogjet e dosjes së prokurorisë në media, me një precizion pervers, nganjëherë, të të gjitha detajeve, dialogjeve, mesazheve sms.
Do të thosha për të mbyllur këtë pyetje se ndoshta nuk është koha për të folur më gjatë për këtë, është shumë e rëndësishme që edhe këtu gjej rastin, miqësisht, t’i bëj thirrje medias të mundohet t’i ruajë nga publiciteti dhe nga drita e prozhektorëve dhe mikrofonat, rastet dhe detajet për arsye se kështu i frenojmë viktimat për të denoncuar.
Është shumë e rëndësishme që ne t’i inkurajojmë, të gjejmë mënyrën sa më konfidente, sa më diskrete, në mënyrë që të bëhet denoncimi. Pa denoncim, nuk ka e nuk mund të ketë reagim.
Pyetje: A mendoni se po dështon OFL duke qenë se SPAK po heq një pjesë të madhe të sekuestrove?
Përgjigje: Jo, përkundrazi, SPAK e ka marrë këtë rol pikërisht për të mundësuar që procesi të jetë i plotë, i saktë, i drejtë. Kjo është shenjë e funksionimit të sistemit, jo e dështimit. Dështim do të ishte nëse do të kalonin rastet pa analizë…
Pyetje: Janë 48 raste vetëm së fundmi?
Përgjigje: Mund të jenë 48 raste. Nuk janë dështime, janë kthime për riverifikim, për plotësim, nuk është se ka dështim, se nuk mund të dështojë. Në thelb OFL është e legjitimuar që ta konsiderojë si rast të dyshuar rastin e cilitdo i cili është subjekt i ligjit.
Pyetje: Kur thoni kthim për riverifikim do të thotë që nuk janë kopsitur dosjet? A ka një goditje serioze ndaj krimit apo formularët çohen në mënyrë formale?
Përgjigje: Jo, në mënyrë formale nuk çohen, por ama mund të ketë raste që një formulari i mungon diçka. Duhet të kemi parasysh që bëhet fjalë për një proces shumë voluminoz. Dhe këtu bëhet fjalë për një dokumentacion, i cili nuk lejon asnjë cedim, asnjë presje që të jetë mangut apo tepër, asnjë fakt që të jetë mangut apo tepër. Kështu që mund të ndodhë, do të ndodhë dhe duhet të ndodhë që SPAK i cili është një filtër para se çështja të mbërrijë në dyert e gjykatës, ta bëjë këtë verifikim, analizë, skanim të punës së policisë. Dhe në qoftë se do ta kthejë mbrapsht, shumë mirë që e kthen.
Në qoftë se diku një punonjës i Policisë ka harruar diçka, le ta plotësojë, nëse nuk ka dashur ta plotësojë diçka, duhet ta bëjë, pra kjo është gjëja më normale, dhe kështu duhet të ndodhë.
Unë e falënderoj SPAK, i cili i kushton vëmendjen e duhur dhe thellësinë e nevojshme trajtimit të këtyre problemeve. Por besoj gjithçka është në hullinë e duhur. OFL po vazhdon.
Pyetje: A jeni i kënaqur me rezultatet?
Përgjigje: Patjeër që po, sepse janë shumë e shumë më tepër raste, që kanë kaluar tashmë testin e prokurorisë dhe testin e gjykatës. Dhe dua të them që COVID-19 e pati reduktuar disi shpejtësinë e këtij operacioni, ndërkohë që tani ai e ka marrë shpejtësinë e tij të plotë dhe në periudhën në vijim, do të vazhdojë të thellohet në të gjitha aspektet e në të gjithë gjeografinë e vendit, në mënyrë që të arrijë ato rezultate e ato produkte, të cilat shpresohen dekurajim i thellë i krimit, largim i pasurisë nga duart kriminale, në mënyrë që të shkatërrohet modeli i biznesit.
Qëllimi i gjithë OFL është që në këtë vend ne t’u japim një mesazh qytetarëve, të rinjve tanë, që t’u themi: nuk ka shans, nuk ka asnjë kuptim që të merreni me veprimtari kriminale sepse edhe nëse mendja ju errësohet, sytë ju errësohen dhe arrini që për një kohë të caktuar të vendosni një pasuri në rrugë të paligjshme kriminale, është vetëm çështje kohe deri kur dikush t’ju trokasë në derë dhe t’jua marrë gjithë këtë pasuri dhe t’ju shkatërrojë jo vetëm gjithë atë investim kriminal, por t’ju shkatërrojë edhe të ardhmen.
Kështu që është shumë i rëndësishëm ky mesazh: – nuk vlen rruga kriminale.
Duhet t’i kthehemi punës, të punojmë fort, të fitojmë aq sa mund të fitojmë, relativisht pak, dhe të jetojmë me pak por me nder. Nuk mund të vazhdojmë duke e ndërtuar jetën mbi projekte të pashpresë siç është krimi. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për të rinjtë.
Ky është mesazhi që dua ta përcjellim dhe unë jam i bindur që ky mesazh do të përcillet fort për arsye se përditë po sekuestrohen pasuri të cilat dalëngadalë do të konfiskohen dhe do të vihen në përdorim në shërbim të publikut, në mënyrë që të themi, krimi nuk ia vlen.
Pyetje: Si do të konfiskohen kur heqin sekuestron?
Përgjigje: Po nuk heqin sekuestrot…
Pyetje: Për një pjesë të konsiderueshme janë hequr, edhe në Shkodër, edhe në qytete të tjera?
Përgjigje: Po në qoftë se është hequr, unë ju thashë, janë kthyer për riverifikim, jo se është hequr, janë për riverifikim dhe është hequr sekuestro në kushtet e emergjencës, ndërkohë që sekuestro ka dy shina në të cilat ndërtohet sekuestro. Pra nuk ka heqje, në qoftë se ka një rast i cili është i paargumentuar nga ana e policisë, shumë mirë që është hequr.
Ne nuk duam në asnjë mënyrë t’i biem atij që s’duhet rënë, për arsye se qëllimi është t’i bihet krimit, t’i bihet atij që nuk e justifikon pasurinë.
Mund të ketë njerëz që kanë bërë një dënim dhe mund të ketë një pasuri të cilën nuk e ka vënë në rrugë kriminale; ka të tillë. Dhe sigurisht që kjo është gjë e shëndetshme dhe duhet të ndodhë edhe kjo.
Ne nuk kemi dalë të bëjmë gjueti shtrigash dhe të bëjmë raprezalje në Shqipëri, por ne duhet të garantojmë që pasuria e vënë në rrugë kriminale, pasuria e vënë përmes drogës, pasuria e vënë përmes shfrytëzimit të grave dhe vajzave shqiptare në rrugët e Europës përmes prostitucionit, pasuria e vënë përmes vrasjes së qytetarëve shqiptarë etj., etj., të mos gëzohet nga ata që janë autorë të këtyre krimeve. Faleminderit! Perg: V.M.DD