para 5 viteve:
REPORTAZH/
“Me shëndet” nga uji i bekuar i Kroit të Bardhë!..
“Kleo 5 vjeçar, që jeton me familjen në Itali, prej kohësh ishte kthyer në shqetesim per familjen për shkak të anoreksise. Qe bere kocke e lekure, pikërisht se ishte e zorshme me i fut ushqim ne goje. Nuk lame spital ne Itali pa shkuar me te. Por ama tani, qe ka veç pese dite tek Kroi i Bardhe, gjithçka ka ndryshu per te. Eshte bere “llups” i madh dhe ne nuk po ia dalim si duhet me te ngrënë….”
Jane prindërit e Kleos, qe na i kumtojnë mirësitë e Kroit të Bardhë, pikërisht me fëmijën e tyre, ndërsa e kundroj teksa po llufit pjatën e dytë të makaronave. Ata kanë ardh që nga Italia për të kaluar disa ditë për hatër të shëndetit të fëmijës së tyre dhe “profecia e legjendës”, u ka dalë. Tashmë Kleo, ka dalë nga “rrethi anoreksik” për të qenë njëlloj me bashkëmoshatarët në të ushqyer.
Por dikush tjetër, na rrefen të tjera mirësi. Dikënd e ka pastruar sëbrendshmi në rrugët e tretjes, dhe tashmë ndihet shumë lehtë. Dikush është shëruar nga gurët në veshka dhe infeksionet, por dhe nga tiroidet, që zor t’u gjesh derman në mënyra të tjera. Një nënë na thotë, se fëmija i saj është pastruar nga mikrobet dhe sidomos lambia cfilitëse. Një dibran ka ardh nga Franca ku emigron me gjithë familje dhe ndihet mirë me mushkëritë, por dhe aspekte te tjera të funksionomit fiziologjik…
Dhe kështu, të gjithë i detyrohen nga pak atij, shëruesit magjik, “Kroit të Bardhë”!
Me Marinin për të “prekur” këto bamirësi
Marin Mema më ka telefonuar një javë më parë për të shtegtuar një të dielë atje për tek Kroi, dhe unë nuk i përtoj, edhe pse të nisesh nga Rrësheni për në Kunorë, është e vështirë, përmes një rrugë sfilitëse. Sidomos pjesa nga Livadhi i Turkut, kur të duhet të lësh udhën e asfaltë, nën përkundjen e gropave pafund. Por Marini dhe ekipi i tij, i njohur si “sorkadhet e egra mediatike”, nuk ua pertojne fare ketyre “rrugeve pa rrugë”, ndaj nuk e marrin aspak me bezdi kur u them se pjesa nga Mërkurthti në Kumbull për t’u ngjit termales është një “ferr udhëtues”. E megjithatë pamjet joshëse m’atanë udhës, sikur e amortizojnë shijen e keqe të përkundjes therëse bri e në bri. Që nga hyrja në “bajrakun e Selitës”, pamjet vijnë gjithnjë e më befasuese.
Jemi ndal përkundruall Lëkundës e Bardhaj të hijeshuar nga gjëlbërimi. Sidomos në pranverë me lulet e qershive, nuk ka vend të dytë, u them, ndërsa bëjmë më lart për t’u ndalur pak më poshte se Laku i Qerreve. Nëse duhet të them dy fjalë në sinkron për Selitën e legjendës, patjetër më duhet të pyes në telefon Viktorin (Gjikolën), poetin e lindur të Valmorit, pikërisht atje ku e ka marrë muzën rishtare ai dhe poeti i madh Gjokë Beci për t’ua përcjellë më pas gjithë adresave shqiptare. E mua më tingëllon me bukur se kurrë para kameres, ndërsa djemtë e teknikës më lidhin “valor-in”, kur artikulohem për mrekullitë selitase, që lidhen me historitë, por dhe me pamjet panoramike, që i kam pas shpine, Kunorë Valmorin, Mullin e Didhen. Është një sfond sa ekzotik aq dhe panoramik.
Udhëtimin për ne destinacion, Marini don ta plotësojë, e për këtë arsye, nuk na e len “anashkalimin tonë të heshtur”, Kurbneshin e pazëshëm! Më kap trishtimi teksa e shoh ashtu, të braktisur,sepse dikur gjallonte. Por nuk mund ta vajtojmë pafund, ashtu sikundër nuk po hedh rrjeshta dëshpëruese i nxit nga efekti pamor aspak i këndshëm. Në vetvete, me fanepset një tjetër qytet i të ardhmes poshte Gurit Gjon si sfinks, në mënyrën tjetër, një qytet që me patjetër do të marrë tiparin e tij turistik, sapo këndej të kalojë udha e asfaltë për Lurë. Nuk ka klimë të dytë si aty. Ndaj, në mos sot apo nesër, pasnesër do të ndodhë, jo pak njerëz do t’i kthehen këtij vendi me mënyra të tjera bisnesi dhe jetese.
Drejt shpellës së Mërkurthit
Lugina e Mërkurthit e futur në mes një honi malesh, të kujton Valbonën. Është e bukur ndërsa Uraka e kthjelltë me bimësinë lazdruese, ta flladisin shtegtimin tënd, ndërsa mund të sjellë në vëmendje sa e sa mite që lidhen me këto anë. Derisa miti i gjallë i Shutrrisë, të kujton se ka një lidhje interesante në mes ujërave nëntokësore, që rrjedhin përfund këtyre maleve që nga liqenet e Lurës. Shpella e Mërkurthit (ajo me “derë të madhe”, të njeh me vijëdrejtimin e ujit të nëndheshëm sapo futesh disa metra atje poshtë, ndërsa shpellën e Docit për arsye kohe nuk e vizitojmë dot, edhe pse ka formime fantastike të stalagmiteve dhe stalagtiteve në kate e nënkate si dhe petroglifet prehistorike (art shkembor unik). Nuk besoj të ketë vend më të pasur se kjo zonë për studime speleologjike përmes shpellave sa në këtë rajon, që nga poshte dhe sipër në Kunorë apo Didhe me shpellën e borës, të stërcokëve, të Fatmirave, etj etj deri tek shpellat e zonës së Matit në këtë metrikë vargmalesh për të ardh tek ajo që e quajmë kurora speleologjike e rajonit të Mirditës; kompleksi i Shpellave të Valit në zonën e Kthellës. Për kufi me Shpellat e Valit është dhe Shpella e Nezirit, që i përket zones se Matit. Nuk kemi kohë të ndalemi gjatë sepse don vëmendje dhe specialistë të kualifikuar, por ama kushedi, mund të kete një rikthim me themel për t’u marrë me promocionin e këtyre shpellave, nga më të mëdhatë në Shqipëri.
Nalt, tek “fushimi tradicional”
Sapo ngjitesh lart, të shfaqet kampingu i pushuesve, që vijnë tradicionalisht aty për kurim prej ujit të Kroit të Bardhë. Në Qafë Kunorë na pret Nikolla, që ka sajuar disa bujtina, si ai ashtu dhe vëllai i tij Zefi. Janë komode së paku për rrethanat dhe njerëzit ndihen pak më ndryshe se herë të tjera. Mundohet me siguru së paku dritën, që e ka sajuar përmes një “mini HEC-i”, si specialist me ide novatore. Nuk ka ujin e nevojshëm këto ditë, por ama për dy muaj ka furnizuar edhe dhomëzat, edhe lokalin që ka aty, ku duket i vetmi televizor në atë fushim. Kemi ngrënë drekën aty në një klimë fantastike, e porositur nga kolegu im Aleksi. Mishi i qingjit të atyshëm nuk ka të dytë ndaj gjithçka shijon, por dhe rakia vendëse apo vera, dhe sidmos kur e gjithë dreka shoqërohet me ujin e Kroit, me të cilin nuk kemi të ngopur dhe duket sikur asgjë nuk ke futur në bark pas pak dekikave. Pastaj ia kemi krisur dhe muhabetit, herë me hoka por dhe serioze sa herë vjen puna për të fol për të ardhmen. Më pas kemi zbrit nëpër çadra dhe bujtinat e improvizuara. Marini nuk u ndahet bujtësve të atyshëm dhe impresioneve të tyre, hallit që kanë pas për të ardh në një vend të vështirë, por tejet të bukur. Secili rrjeshton një hall të tijin, por dhe zgjidhjen që ka marrë pikërisht prej Kroit.
Pastaj vemi tek Kroj, për të parë nga afër “ritualin” e pirjes dhe qëndrimit të heshtur, thua je në ndonjë tempull budist! Dikush pin dhe pas pak kohe ripin. Dikush tjetër fut kokën dhe shtatin dhe lahet në pjesët e këmbëve, kokës, fytyrës etj. E provojmë dhe ne por vetëm të pirit e ujit magjik. Dhe nuk na iket prej aty, sepse pas pak minutash të duket se asnjë gllënjkë uji nuk e ke kaluar, edhe pse mund t’i kesh futur fytit jo më pak se një kilogram.
Kroi i Bardhë përtej mistikës
Mistika nis me para 100 viteve me austriakët, ndonjë oficer i asaj kohe që kishte fushuar pikërisht aty, dhe me gjithë organizmin e tyre, kishin konstatuar ndryshim drastik. Pastaj u kryen studime dhe ristudime. Sipas nje profilimi turistik qe ka bere per zonen gazetari Xh.Marku, nga ristudimi i bërë në vitin 2004, rezultoi se, turisti që viziton Kroin e Bardhë, për një kohë prej 15 deri 20 ditë në vit dhe konsumon sasirat e nevojshme të ujit nga ky burim, për tre vjet me radhë, fiton një gjallërim të përgjithshëm të organizmit të tij. Konsumimi në sasinë e rekomanduar i ujit të famshëm e çudibërës të Kroit të Bardhë, ndikon fuqishëm edhe në organet e tretjes e të metabolizmit në përgjithësi, vepron me shumë efikasitet ndaj sëmundjeve të rrugëve urinare, në tretjen e lëndëve ngacmuese të indeve të veshkave, shkrinë gurët në veshka, qofshin këta edhe të karakterit urat, fosfat, karbonat apo oksalat. Uji i Kroit të Bardhë ka dhënë efekt të dukshëm edhe në gjëndërrat e trupit, gjëndërrat mbiveshkore dhe ato embrionale, shëron sëmundjet e pielonefritit e të nefritit, normalizon treguesit e gjakut tek të sëmurët anemikë, rrit sasinë e hemoglobinës në gjak, etj. Ai shëron plotësisht sëmundjet e pagjumësisë e të dhimbjes së kokës, si dhe sëmundjet e tjera me origjinë nervore.
Uji i magjishëm i Kroit të Bardhë vepron ndaj mukozës së zorrëve, duke bërë një pastrim të plotë të tyre dhe eliminon precipitimin e kripërave në faqet e enëve të gjakut, duke krijuar elasticitetin e nevojshëm të tyre. Ai gjithashtu, shëron sëmundjen e trombophilebitit, spondylitisankylosans, sëmundjen e kyçeve, të poliartritit kronik e të kolonës vertebrale dhe ndikon shumë në shërimin e sëmundjes së reumatizmit. Dhe jo vetëm kaq, por uji i Kroit të Bardhë, përmirëson edhe funksionimin e vezoreve, ndihmon në shërimin e azmës bronkiale, etj.
Edhe pse ky burim nuk përmban jod, është vërtetuar me analizat përkatëse, se ai shëron plotësisht strumën (gushën), ndikon shumë në normalizimin e rrahjeve të zemrës dhe forcimin e punës së saj, si dhe në rritjen e qarkullimit të gjakut, etj. Vetitë kurative, ky ujë i merr nga përmbajtja e Radonit, Fluorit, pH të theksuar bazik, etj, që janë element kimikë mjaft të rëndësishëm dhe me vlera të mëdha për kurimin e shumë llojë sëmundjesh.
Të vetmit probleme për këtë burim kurativ, janë sasia relativisht e vogël e ujit, rreth 20 litra në minutë, si dhe pamundësia e konservimit të tij, pasi vetëm për njëzet minuta nga koha e mbushjes, ai i ruan vetitë e tij kuruese. Për këtë arsye, pirja e ujit rekomandohet të bëhet pranë burimit, sepse këtu pushuesi thith njëkohësisht edhe sasitë e nevojshme të gazit shërues të quajtur Radon, që çlirohet nga burimi bashkë me ujin e mrekullueshëm të bjeshkëve të Kunorës në Mirditë.
Mbrëmja e “fshatit të shkul”…
Është si një lloj fshati që rivjen çdo vit, së paku nga dy muaj te veres, ndaj ëmertimi më i saktë që të vjen në mendje është “fshati i shkul”, për ta ritifuar të drejtën e tij çdo mesqershori të vitit. Kanë kaluar mbi 150 familje këtë verë dhe po ashtu çdo verë tjetër.
Duke u avitur në mbrëmje njerëzit e atyshëm bëjnë dy gjëra; e para i ngjiten Didhes, ku natyra është vërtëte mahnitëse. Atje ecin nëpër livadhe; shtrijnë shikimin e tyre që nga deti e deri në Malet e Epërme të Shqipërisë; të tjerë luajnë voleiboll, futboll; disa fotografojnë me celularët e tyre, por ama edhe flasin e komunikojnë në internet sepse është i vetmi vend me valë.
E bëjmë këtë ritual dhe ne, ngjitemi pikërisht atje në Didhe. Dehemi nga bukuritë dhe flladi i atij vendi, e ndërkaq imagjinojmë dhe një rrugë tjetër ardhjeje për këtu, atë me teleferik nga Kurbneshi, Mbase jemi utopik ne ide, por kemi arsye të mendojmë se këto male, këto bjeshkë, duhen vizituar, duhen shijuar, duhen shfrytëzuar në të mirë të shëndetit. Me bindje e them, Zvicra nuk i ka të tilla!
Na duhet të gjendemi sërish tek Kroi, atje ku tashmë gjithë gjindja është dynd për “ritualin e darkës” të pirjes dhe larjes. Marini është tepër i vëmendshëm dhe shkeput plot detaje bisedash dhe pamjesh. Pastaj ngjitemi për tek kasollet, çadrat dhe bujtinat. Bisedat organizohen rreth një zjarri, që sjell kontrast rreth asaj që kemi kaluar në qytetet ku banojmë, pikërisht këto ditë vere kur temperaturat aviten tek 40 gradë. E pra, ne, pos veshjes se xhupave, kemi deshire të qëndrojmë pranë zjarrit bubulak në këtë fresk malesh!
Kështu për një orë deri nga ora 22.00 e darkës, kur Aleksi na fton për darkën e bollshme tek “konaku” i vet, një bujtinë me dërrasa që ua ka dhënë me qera Zefi. Zonjat e “kullës” kanë përgatit një darkë, për ta mbajt mend, me mish derri të skuqur dhe mish qingji furre, djath i marrë nga stanet aty afër, dhe plot gjëra të tjera! Ama gjithçka e shoqërojmë me ujin e Krojit, edhe pse rakia është ball kazani! Marini pin mirë e mirë. Ky djalë i kandshem e puneshume, vetëm ato çaste kur ka mbaruar punët, i kthehet sadopak qejfit. Vonë e kuptoj dhe një shkak tjetër përse piu pak më tepër, sepse nuk pushoi gjithë udhën me hokat etij për ta mbajtur shoferin në pagjumës.
Ndërsa largohemi, kameramani, nuk mund të shkulet pa i marrë dhe momentet e fundit të një nate gjumi ne kete fushim interesant, kur tashme, pos “kakofonisë melodioze të qenve” të staneve, asgjë tjetër nuk pipëtin. Është “fshati i nevojës” që fle i gjithi nën bekimin e ujit të Kroit të Bardhë.
Ne kemi ikur tashmë. Dhe vetëm kur vij në Rrëshen, shoh se ora ka shkuar fiks 03.00 e natës. Plot 19 orë udhëtim e punë!
Gjergj Marku (10 gusht 2015. Nga Kroi i Bardhë)