BASHKË ME LAHUTEN
M’ka marrë malli me t’ndi zanin,
Me k’ndu bashkë kangë për vatanin,
Për Shqiponjën dykrenare,
E për trojet mbar’ shqiptare.
Tungjatjeta moj lahut,
Ec me mu e mos rri struk.
Me k’ndu kangët e Shqiptarisë,
Nëpër odat e Malsisë.
Bashkë me flladin që ka mali,
Kurr me ty kangen s’e ndali.
M’knaqet zemra tuj t’ndigju,
Kur bashkon zanin me mu.
Çoje zanin n’ato maja,
N’ato pyje e ograja.
Ku ushtojnë bjeshkët e Malsisë,
Kur këndojmë kangët e trimnisë.
Kangë për Mujon e Halilin,
Për malet që prekin qiellin.
Për flamur e për Atdhe,
K’ndojm për vendin ku kem le.
Me lahuten mish e thu,
Kangë kreshniksh kena me k’ndu.
N’Maranaj n’maje t’Rumisë,
Me ja kthy vlerat Malsisë.
Ramazan Çeka