Ditën e sotme, Bledi Çuçi është prezantuar zyrtarisht si ministri i ri i Brendshëm. Kryeministri Edi Rama shkoi vetë, edhe për këtë emërim, në ambientet e Ministrisë së Brendshme dhe për më shumë se një orë ka folur lidhur me situatën politike në vend, protestat dhe pensionin e familjes së Klodian Rashës.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se duhej bërë një reflektim pas protestave të ndodhura, duke mos i kursyer as kritikat. Sipas tij, si kurrë më parë në këtë protestë janë përdorur edhe të miturit, duke adresuar edhe dhunën e ushtruar sipas tij ndaj Policisë së Shtetit. Duke përmendur përplasjes mes Policisë dhe protestuesëve, numri një i qeverisë tha se kishte kërkuar vetë për të gjetur precendentë të ngjashëm në vendet e Bashkimit Europian, ku protestuesi kishte të drejtë të dhunonte efektivin e Policisë pa pasur asnjë pasojë.
Edhe njëherë Rama ka paralajmëruar reformën në repartin e forcave “Shqiponja”, ndërkohë që nuk i ka kursyer lavdet për shefin e Shërbimit të Çështjeve të Brendshëm të Ankesave dhe Drejtorin e Përgjigjthshëm të Policisë, Ardi Veliun. Sa i përket familjes së Klodian Rashës, kryetari i qeverisë u shpreh se vdekja e tij nuk ishte aksidentale por u cilësua si e tillë për t’i dhënë familjes pensionin e posaçëm. Në fund, Rama falenderoi edhe ministrin në ikje Sandër Lleshaj, duke shtuar se kishte besim se zgjedhja e tij e radhës do të bënte një punë të mirë.
Më pas, fjala i kaloi Sandër Lleshajt, i cili u shpreh se e kishte ‘checkuar’ pasardhësin e tij dhe se ishte i bindur që do të bënte një punë të mirë, pasi nuk e kishta aspiruar pozicionin që kishte marrë. Pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë edhe kreu i qeverisë, i cili me batutë sqaroi se Çuçi ishte emëruar pa dijeninë e tij, dhe jo pa dëshirën e tij.
Në fund, Bledi Çuçi bëri një premtim në fjalën e tij, duke shtuar para të pranishmëve se në fund të mandatit të tij, do të njihej si Ministër i Brendshëm dhe jo ai i Rendit.
Përveç tre politikanëve, të pranishëm në ceremoninë e emërimit ishte kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe kreu i Gardës, Gramoz Sako, përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit.
Çuçi u emërua nga kryeministri Edi Rama dhe u votua me shumicë dje në Kuvend, pas dorëheqjes nga posti i ministrit të Brendshëm të Sandër Lleshajt. Lleshaj dha dorëheqjen pas protestave për vrasjen e Klodian Rashës nga Policia.