Protestat kanë vijuar në mbarë Shtetet e Bashkuara, ku në disa qytete ka nisur përshkallëzimi për shkak të përfshirjes së oficerëve federalë, kryesisht në Portlend të Oregonit.
Më herët gjatë muajit, administrata e presidentit Trump u zotua se do të mbrojë pronën federale nga dhuna e protestave, të nxitura nga vrasja e George Floyd në muajin maj.
Për dy muaj, administratorja e një shkolle të mesme, Eva Vega është paraqitur para gjykatës federale për të protestuar çdo natë.
“Jam qëlluar me gaz lotësjellës dhe me spraj djegës disa herë. Edhe kur qëndronim larg nga oficerët ata na qëllonin sërish”, deklaron Vega.
Shpesh herë ajo merr edhe studentët në protestë, por tani ka frikë se mos ato bëhen edhe më të dhunshme.
“Më duket se tensionet janë rritur së tepërmi. Ajo që po shohim tani është diçka e afërt me një luftë civile”, thotë Vega.
Një shqetësim kyç është mbërritja e 114 oficerëve federalë për të mbrojtur gjykatën, lëvizje të cilën veterani i ushtrisë Mike Connors e konsideron destabilizuese.
Sipas tij, protestat kanë qenë të vogla dhe paqësore përpara se ata të shfaqeshin dhe më pas u përshkallëzuan.
Sërish, mijëra njerëz vazhdojnë të mblidhen jashtë gjykatës federale dhe valë të tjera njerëzish marshojnë nëpër rrugët e qytetit./EN