-Përplasje në Afganistan/ Luftëtarët opozitarë rimarrin tre distrikte Veriore, vrasin 15 talebanë…
Luftëtarë opozitarë, besnikë ndaj qeverisë së përmbysur të Afganistanit, rimorën të premten tre rrethe veriore nga talebanët, vetëm disa ditë pasi grupi islamik rivendosi kontrollin e tij mbi pjesën më të madhe të vendit.
Llogaritë pro-talebanëve në median sociale konfirmuan përmbysjen ushtarake në provincën Baghlan në veri. Ata thanë se të paktën 15 luftëtarë talebanë u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën në atë që e përshkruan si tradhti të amnistisë së shpallur për anëtarët e ish-qeverisë afgane.
Abdul Hamid, komandant lokal i asaj që u përshkrua si një kryengritje kundër talebanëve, tha në një video-mesazh nga Andrabi, një nga rrethet e sapomarra, se forcat e tij po përparonin drejt një rrethi tjetër aty pranë, duke u zotuar të kapte të gjithë Baghlanin.
Njoftohet se talebanët kanë dërguar forcat e tyre në Andrab për të organizuar një kundërsulm.
Zëri i Amerikës kërkoi por nuk ka marrë reagim nga zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, për këtë kundërsulm, i pari i ndërmarrë zyrtarisht që kur grupi ekstremist mori kontrollin e kryeqytetit, Kabul, të dielën.
Sulmi i së premtes erdhi vetëm disa ditë pasi Amrullah Saleh, i cili shërbeu si zëvendësi i parë i Presidentit të arratisur Ashraf Ghani, u zotua se do të organizonte një rezistencë të fortë ndaj talebanëve nga provinca e tij e Panshirit.
Zoti Saleh është vetë-shpallur president i përkohshëm, duke cituar kushtetutën afgane, pasi zoti Ghani u largua nga vendi të dielën dhe iu ofrua azil nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ish-nënpresidenti pretendoi se po vepronte jashtë Panshirit me mbështetjen e Ahmed Masudit, djalit të komandantit të vrarë afgan Ahmed Shah Masud, i cili mbrojti me sukses krahinën dhe zona të tjera në Afganistan gjatë qeverisë së mëparshme talebane nga 1996 deri në 2001.
Ndërkohë, udhëheqësit talebanë kanë zhvilluar bisedime me ish-rivalët afganë në Kabul me premtimin se po përpiqen të formojnë një “qeveri gjithëpërfshirëse islamike” për të drejtuar vendin e shkatërruar nga konfliktet.
Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e bashkësisë ndërkombëtare i kanë paralajmëruar talebanët se në qoftë se nuk përpiqen për një qeverisje gjithëpërfshirëse, vetëm do të zgjasin luftën civile në Afganistan dhe se vendet e tjera nuk do ta njohin një qeveri të tillë.
Talebanët janë zotuar për një qeverisje ndryshe nga ajo e ndjekur kur ishin në pushtet 1996-2001, duke premtuar se do të respektojnë të drejtat e grave dhe do t’u lejojnë atyre të punojnë dhe të arsimohen në përputhje me Shariatin.
Por aktivistë për të drejtat e njeriut dhe të tjerë njoftojnë se luftëtarë talebanë po u vijnë nëpër banesa dhe i frikësojnë. Disa prezantuese televizive kanë thënë se televizioni shtetëror i ka hequr pa shpjegime nga transmetimet në ekran.
Por ish-ligjvënësja afgane, Elai Ershad tha në komente për Zërin e Amerikës me telefon nga Kabuli se megjithë disa probleme të vogla, gjendja e sigurisë në kryeqytet po përmirësohet.