Qeveria e Kosovës do të subvencionojë me nga 100€ të gjithë fëmijët pavarësisht të ardhurave që kanë familjet e tyre dhe po ashtu me 100€ pensionistët.
Më parë fëmijët kanë marrë ndihma financiare nga shteti i Kosovës në varësi të të ardhurave në familje, por këtë vit pa asnjë përjashtim apo dallim, të gjithë do marrin shpërblime.
“Kemi premtuar që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100 apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve.
Sivjet kemi vendosur që të gjithë fëmijët, pa dallim, të fitojnë nga skema dhe shuma të jetë 100 euro”,-tha Kurti.
Ndryshe nga homologu i tij shqiptar Edi Rama, i cili u dha pensionistëve nga 50 mijë lekë të vjetra për festat e fundvitit, Kurti do u japë pensionistëve nga 100 euro bonus.
“Për të gjithë pensionmarrësit, këtë fundvit, me qëllim të lehtësimit të kostos së jetesës për këtë kategori të cenueshme, do të miratojmë shtesën e njëhershme prej 100 eurosh, përveç pensionit të rregullt që e marrin”-u shpreh kryeministri i Kosovës.