Në kohë të re!
E dua një kohë të re ta kronometrojë me mendje tjetër,
Me thjeshtësi të ndaja qelizat e saj në sekonda, minuta, orë, ditë e vite,
Pa iu futur në hak as zemrës, as shpirtit, as trupit, as syrit e buzës,
Të ndajë kohë për dashurinë në ëndrrat e ardhura natës.
E dua një kohë të re që mos të kalojë në rrugë të urrejtjes,
Aty akrepat të ndalen e tik-taku të meket në trokitje të tyre.
Kohë të re dua për të gatuar bukën e mirësisë me grurin e rritur vetë,
Me pika djerse nga balli vaditur mes dimrit acar e verës vullkan.
E dua një kohë të re që të harroj trishtimet dhe dhimbjet që kafshuan si qeni tërbuar,
Të fshij nga kujtesa pabesitë që jeta m’i nguli si gozhët në trupin e Jezu Krishtit,
Të fshij kohën që e fala pa menduar, si paratë në një kabare,
Të nis numërimin pa kujtuar ku isha, çfarë bëra, të nesëmes t’i numëroj trokitjen.