Nga Habjon Hasani
Dy ditë më parë ish-ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, bëri një reagim publik ndaj hulumtimit të Hashtag.al, fill pasi ne zbardhëm lidhjen e ish-ministrit me biznesmenin Mirel Mërtiri dhe një pjese të rrjetit të njerëzve të besuar të aksit Mërtiri-Gjiknuri, klan me tentakula të fuqishme në Qeveri-Biznes-Prokurori.
Duke mos dashur të lodh lexuesit me detaje teknike, do përpiqem të shpjegoj disa nga të vërtetat që unë di dhe/ose që jam në gjendje t’i dokumentoj plotësisht, në sajë të një pakete voluminoze dokumentesh administrative të Albpetrolit, akte gjyqësore dhe raporte operative të institucioneve ligjzbatuese shqiptare dhe ndërkombëtare.
Zoti Gjiknuri u mbrojt me një shkresë, e cila nëse analizohet dhe krahasohet me dokumentet e tenderit të gazit të fituar nga Mërtiri (sidomos datat, shumën e garancisë, protokollin), do ja bënte shumë të lehtë punën një hetimi ligjor për të vërtetuar implikimin kriminal të atij tenderi. Praktikisht shkresa e Gjiknurit fundos ish-drejtorin e Albpetrolit Endri Puka dhe Sekretarin e Përgjithshëm Koli Bele.
Mirëpo s’do ndalem në këto detaje, do tregoj një pjesë të historisë që unë di, me fjalë të thjeshta, të kuptueshme nga të gjithë.
Thelbi i deklaratës së Gjiknurit ishte në pasazhet ku ai shprehej se:
Nuk ka ndodhur shitja, pasi firma CGC e Mërtirit nuk erdhi ta lidhte kontratën. Nuk kishte interes për blerjen e këtij lloj gazi.
Zoti Gjiknuri ka 100% të drejtë. Seriozisht.
Biznesmeni Mirel Mërtiri nuk ka asnjë lidhje me atë lloj gazi shoqërues industrial, i cili mund të shfrytëzohet veç për qëllime industriale. Mërtiri nuk posedonte asnjë industri hidrokarbure apo të ndonjë lloji tjetër që mund ta shfrytëzonte atë sasi gazi.
Madje Mërtiri nuk posedonte asnjë instrument të tregut ku mund ta shiste atë sasi gazi. Ndaj ai nuk e lidhi kontratën.
Por nëse është kështu, si është e mundur që Mërtiri bëri një ofertë në Albpetrol për ta shfrytëzuar 5 vite këtë sasi gazi dhe më pas u tërhoq? U bë pishman? E kuptoi me vonesë? Apo çfarë?
Asnjëra nga këto.
Plani ishte shumë më i hollë. Në lojë kishte hyrë që prej muajit Prill 2017, një biznesmen i fuqishëm austriak, lidhjet shkonin deri te Vladimir Putin dora vet.
Dy janë biznesmenët më të rëndësishëm në Evropë që shërbejnë si proxy/zgjatime të Gazprom-it, ata janë Mathias Warnig dhe Robert Nowikovsky. Të dy me lidhje personale me Vladimir Putin.
Nowikovsky kishte nisur kontaktet me Endri Pukën e Albpetrolit për marrjen me koncension të vendburimeve Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollaj, që prej Dhjetorit 2016.
Në korrik 2017, shërbimet inteligjente të vendeve të NATO-s erdhën në Tiranë për të monitoruar situatën, më 20 Gusht 2017 në Hashtag.al publikova për herë të parë prezencën e Nowikovskyt në negociata dhe korrespondencën. (Lexo këtu)
Pas ndërhyrjes energjike të disa vendeve partnere të NATO-s këtij plani ju vu kryq zyrtarisht nga kryeministri diku nga fundi i Tetorit 2017.
Mirel Mërtiri dhe firma e tij CGC, nëpërmjet kontratës së gazit, po siguronin një prezencë 5 vjeçare në territorin e Cakran-Mollaj, që pritej ta merrte Nowikovsky me koncension.
Interesi i Mërtirit nuk ka qenë aspak shitja e gazit në vetvete, por kushtëzimi i Nowikovskyt në rast se ai do të merrte koncensionin.
Një hetim profesional ligjor do e vërtetonte shumë kollaj këtë skemë, pasi ish-drejtori i Albpetrolit Endri Puka është i kapur gafil në rol të dyfishtë: Nga njëra anë ai ftonte Nowikovskyn të merrte vendburimin me koncension, nga ana tjetër, ai futi në lojë për një afat 5 vjeçar për të drejtën e gazit, mikun e tij Mirel Mërtiri në të njëjtin vendburim.
Biznesmeni austriak zgjatim i Gazpromit e kishte valixhen plot me dollarë, ndaj dhe kur të merrte koncensionin strategjik do i thoshte Mërtirit:
Sa milionë do ti që të më hiqesh qafe nga vendburimi i Cakran-Mollaj?
Në këtë mënyrë Mërtiri do kishte mundësi ta shiste disa fish më shtrenjtë kontratën e gazit që përfitoi me çmim nën kosto.
Ndërhyrja energjike e disa shërbimeve inteligjente, bllokoi Nowikovskyn, e për pasojë doli dhe jashtë loje kontrata e Mërtirit. Me tërheqjen e Nowikovskyt nga koncensioni, Mërtiri nuk kishte kë të kushtëzonte, ndaj hoqi dorë fare nga ajo kontratë gazi.
Ndryshe nga ç’pretendon zoti Gjiknuri se “nuk ka pasur fare kambanë (kontratë)” marrëdhënia paralele me Nowikovskyn tregon se jo vetëm që ka pasur kambanë, por ajo ka qenë madje një kambanë që i dëgjohej tingulli deri në Moskë.
Ky kontekst e implikon edhe më rëndë dyshen Gjiknuri-Puka, pasi tregon se ata jo vetëm i kanë shitur gaz me kontratë favorizuese Mirel Mërtirit, por e kanë konsideruar Mërtirin si njeriun e tyre më të besuar, ndaj dhe e kanë përgatitur për lojën me rusët.
Lojë që u anulua.
Tentakulat e rrjetit…
Pasi u largua Robert Nowikovsky nga Shqipëria, ndodhi një tjetër shizmë, kësaj here me vendburimin Ballsh-Hekal. Kjo është një nga historitë më të pabesueshme, pasi shënohet precedenti i vetëm në botë, kur një vendburim hidrokarbur jepet me përmbarim.
Në Tetor 2017, Endri Puka i hapi rrugën një vendimi të përmbaruesit Altin Vako për sekuestron e vendburimit Ballsh-Hekal me procedurë përmbarimi.
Kanë qenë Endri Puka dhe Koli Bele tutorët e kësaj kontrate koncensionare me përmbarim, Gjiknuri ju dorëzua këtij lobingu të fuqishëm nga brenda klanit, ndoshta i bezdisur dhe i lodhur nga këmbëngulja e tyre.
Ankandin e përmbarimit e fitoi kompania ANIO Oil, e cila nisi menjëherë punën në vendburim, Hashtag.al posedon të plotë dokumentacionin e kësaj dosje, ndërsa ofron sot në mënyrë të përmbledhur gjithë procedurën se si u arrit për herë të parë në historinë e koncensioneve, të jepej me ankand përmbarimi një vendburim hidrokarbur. (Shkarkoje të plotë këtu indeksin e dosjes).
Historia e këtij skandali u thellua më tej, pasi Gjiknuri shkarkoi Endri Pukën si kreun e Albpetrolit dhe në vend të tij emëroi Kastriot Bejtajn.
Zgjedhja e Bejtajt nga Gjiknuri ishte një veprim inteligjent, pasi drejtori i ri i përkiste një shkolle të vjetër të inxhinierëve të naftës, Bejtaj i dinte rregullat, e njihte punën.
Bejtaj hartoi menjëherë një strategji për mbrojtjen në gjykatat e arbitrazhit nga disa kompani dhe pa humbur kohë i kërkoi kompanisë ANIO Oil që të dorëzonte rreth 5 milionë USD produkt nafte, që ja kishte detyrim Albpetrolit sipas kontratës.
Kaq mjaftoi që klani Puka-Bele, të nxisnin një fushatë agresive goditjesh në media ndaj Kastriot Bejtajt, duke e akuzuar atë për një konflikt inekzistent interesi me të vëllanë, ndërsa presioni synonte tërheqjen e Albpetrolit nga sasitë e produktit që i takonin me ligj.
Në këtë konflikt, Gjiknuri mbajti një lloj distance, ndonëse interesat i kishte të lidhura fort me klanin Puka-Bele-Mërtiri.
Në mars 2019, Bejtaj u shkarkua si drejtori i Albpetrolit, ndërsa zëvendësuesi i tij, Dritan Spahiu, pasi mori detyrën nënshkroi një kontratë të fshehtë me ANIO Oil, ku kësaj të fundit i falej sasia e produktit në vlerën e 5 milionë USD. Marrëveshja sekrete u lidh më datën 9 Gusht 2019 dhe mban numrin protokollar 75/6. Dy faqe format A4 është kjo marrëveshje, por mjaftoi për të avulluar 5 milionë USD.
Në këtë mënyrë, brenda një harku kohor dy vjeçar, tre bashkëpunëtorët më të besuar të Gjiknurit, Endri Puka, Koli Bele dhe Mirel Mërtiri, arritën të bënin një nga spiralet më spektakolare me vendburimet e naftës.
Në fillim tentuan t’ja jepnin vendburimin Cakran-Mollaj një investitori të Gazpromit dhe futën si pykë shantazhi ndaj investitorit rus kontratën e gazit të Mirel Mërtirit.
Pastaj vendosën që vendburimin Ballsh-Hekal ta jepnin me procedurë ankandi të përmbarimit te firma ANIO Oil, duke shënuar rastin e vetëm në historinë e koncensioneve hidrokarbure.
Më pas ata shantazhuan me media drejtorin e ri të Albpetrolit Kastriot Bejtaj, në mënyrë që ky i fundit të tërhiqej nga kërkesa ligjore e Albpetrol për të marrë 5 milionë USD produkt nga ANIO Oil.
Kur iku Bejtaj si drejtor, ky grup arriti të kontrollonte drejtorin e ri Dritan Spahiu dhe nëpërmjet një kontrate sekrete, Albpetrol u tërhoq nga kërkesa për të marrë 5 milionë USD produkt që i takonte shtetit.
Askush nuk ka guxuar që të bëjë me Albpetrolin atë që mundi të bëjë ky klan kaq i fuqishëm dhe agresiv, me ndikim thelbësor në prokurori dhe në media.
Damian Gjiknuri ka mundur me mjeshtëri të maskojë marrëdhënien e tij me biznesmenin e inceneratorëve Mirel Mërtiri, ndërsa prej disa vitesh media e lidhte këtë biznesmen vetëm me ministrin Arben Ahmetajn.
Kontrata e gazit dhënë Mërtirit zbuloi njërën anë të medaljes së lidhjes së Gjiknurit me biznesmenët e inceneratorëve, por gjurmët e tij janë më thellë se kaq.
Gjiknuri ka një marrëdhënie vëllazërore me Klodian Zoton, investitorin e inceneratorëve. Në vitin 2015, disa interceptime të kryera në kuadër të një hetimi financiar ndaj Klodian Zotos, regjistruan fashikuj me biseda ndërmjet të dyve.
Bisedat mes Gjiknurit dhe Zotos u administruan nga ish-shefi i sektorit në polici me inicialet L.Mi, ndërsa pak javë më vonë bashkëshortja e policit, shtetasja M.Mi mori post në ministrinë e Energjitikës.
Paketa gjurmëve të lëna e implikon shumë më tej zotin Gjiknuri dhe këtë klan, ndoshta jo rastësisht e-mailet informues të zyrtarëve të tij (në AKBN dhe Albpetrol) për vendburimet naftës dhe gazit, i shkonin për dijeni D.Tollkuçit dhe Klodian Zotos, ortakut të Mirel Mërtirit te inceneratorët.
Nuk do të mjaftonin as 20 shkrime për të bërë publike gjithë veprimet dhe implikimet e këtij klani kaq të fuqishëm dhe agresiv në radhët e rilindjes, por me siguri që do të mjaftonte një prokuror i mirë për të zbardhur masakrën që ka ndodhur, ndërsa klani i drejtuar nga Gjiknuri dhe me anëtarë Mirel Mërtirin, Klodian Zoton, Endri Pukën, Gerian Kukën, Koli Belen, Ervin Mërtirin, Mariola Mërtirin etj, kanë bërë atë që ndoshta prokurorët amerikanë do ta quanin “Conspiracy against the state”, ndërsa kolegët e tyre italianë e quajnë “associazione mafiosa”. /