ME LER TE HYJ TE ENDRRA JOTE
Do të dal të gjej për ty ca fjalë gëzimplote
Dhe si lulet më të bukura, do t’i mbledh,
Me cicërima në shpirt do hyj te ëndrra jote.
Si dallandyshja brenda çerdhes, në pranverë.
Do të vij si diell e do ta prushëroj shpirtin
Me ngjyrat e vjeshtës, ta ngjyej zemrën,
Ta flak nga ndjenjat ngricën, llohën e dimrit
Ta ndez flakë në buzë, puthjen si këngën.
Do të vij lehtas, do të vij, si një puhi
Të ulem mbi qerpikun tënd, si flutur,
Edhe kur ta mbyllësh atë të bukurin sy
Me takt, do të futem te syri i yt bukur.
Në ndodhtë të iki krejt papritur, fshehtas
Qerpikun e bukur, ma lër hapur veç pak!
Edhe në e mbyllsh, ti mbylle lehtë enkas
Ndryshe, zemra ime, mund të pësojë infrakt…
Do të dal të gjej për ty, disa fjalë kuptimplote
Si lulet më të bukura në duar do t’i mbledh
Vetëm ti, më ler të hyj aty te ëndrra jote
Ku dimrat me ngricë, kthehen në pranverë…
-nga vëllimi im poetik “ëndrra në udhëkryq”-