Është nder dhe privilegj të shkruash për një plejadë mësimdhënësish, që i kanë dhënë fytyrë dhe ngjyrë arsimit shqiptar në Fier. Ishin misionarët e dijes ata që hodhën themelet në tokën e bekuar të Myzeqese gjatë periudhës së socializmit, sfiduan kushtet tejet të vështira, me shpirtin e tyre human dhe të dashur për atdheun, formuan brezin e ri të intelektualëve shqiptarë. Kjo plejadë e ndritshme në çdo vit përmbush misionin dhe kalon stafetën brezave të rinj të mesimdhënësve.
Në qiellin dhe fushën e Myzeqesë së Vogël, emrat e tyre janë gdhendur në kujtime të përjetshme nga ish nxënësit, që mbajnë të dlirë vlerat e tyre.
Unë dhe arsimtarët e tjerë do të vlerësojmë përherë dhe do të mbajmë gjallë sakrificën, punën, kontributin dhe dashurinë e pakursyer që ata lanë në çdo bangë e shkollë.
Gjatë vitit 2020 mësuesit që dolën në pension:
Fiqirete Bregu(shkolla “5 Dëshmorët”), Fatmir Çepele(shkolla”Hiqmet Buzi “), Dritë Metaj(shkolla “Andon Xoxa” ), Ramadan Faria (shkolla “Trifon Prifti”), Mimoza Gjani (shkolla “Jani Bakalli”), Lena Ulndreaj(shkolla” Dino Ismaili “), Farie Çuko(shkolla “Mehmet Salo Shahaj”)
Sali Lleshi (shkolla “Karafil Muskaj”), Bilbil Idrizaj(shkolla “Veiz Myslymi”), Marjana Xoxa(shkolla “Jakov Xoxa”), Engjëllushe Çollaku(shkolla “Andon Xoxa”), Lirime Mataj(shkolla “Dino Ismaili”), Trifon Prifti(shkolla” Andon Profka”), Ilir Bele(shkolla “Jakov Xoxa”). Ju premtojmë se do të ecim në gjurmët e tyre derisa ta çojmë këtë stafetë te brezi më i ri i arsimtarëve që kemi përgatitur. Këta misionarë të dijes janë mendja e kombit, janë legjenda në kapërcyellin e dy kohëve, të cilët me inteligjencë, përkushtim, urtësi e thjeshtësi mbështetën, inkurajuan, respektuan e orientuan drejt vlerave, humanizmit dhe dashurisë për Atdheun, shumë breza nxënësish. Ata tejçuan me devotshmëri dritën e qytetërimit në çdo shpirt njerëzor, anë e kënd Myzeqesë.
“Pas bukës,arsimi është nevoja më e madhe e njeriut”(Georges Jacques Danton), ndaj këta misionarë ushqyen me “nektarin” e dijes filizat e së ardhmes, ëndrrat dhe shpresat e tyre. Në “kështjellën e dijes” që, ata ndërtuan me shumë sakrifica e përkushtim, mund të gjesh cilësi të çmuara, modele të papërsëritshme mençurie, humanizmi e altruizmi, që do t’i mbijetojnë çdo epoke. Me emrin dhe veprën e tyre të prekshme, reale e tokësore, të mbushur me sfida të panumërta, këta misionarë të dijes bënë epokë në historinë e arsimit në Myzeqe. Ata do të mbeten shembuj inspirimi e përkushtimi i idealeve të larta, figura popullore e poliedrike në gjithë hapësirën mbarëmyzeqare. Me përulësi shpreh mirënjohjen, respektin, dashurinë e krenarinë për këta misionarë të dijes,të cilët u tretën si qiri për të ndriçuar trurin e ardhmërisë së kombit dhe qiellin e arsimit shqiptar. Pension të mbarë e qofshi gjithë jetën energjik e të rinj në shpirt!
Jeni të çmuar për misionin e vyer dhe vlerat që keni përcjellë me urtësi e mençuri!
Faleminderit!
Përzemërsisht, Yllka 🤗