Përse kaq shumë indiferencë?
Eli Vizel është shkrimtar hebre-amerikan, profesor,veprimtar politik, laureat i çmimit Nobel dhe i mbijetuar i Holokaustit, i lindur në Rumani. Nuk kisha lexuar më parë ndonjë libër të tij, prandaj kur tërhoqa nga rafti librin ” AGIM” m’ u desh të hyja në google, siç më është bërë zakon, për t’u njohur me biografinë e më shumë. Kur Vizel mori çmimin Nobel në vitin 1986, komiteti norvegjez i çmimit e cilësoi si ” lajmëtar të njerëzimit” duke theksuar se, përmes betejave dhe përvojave vetjake të poshtërimit që zbatohej në kampet e Hitlerit dhe përmes veprave praktike në dobi të paqes, ai u ka dhënë të gjithëve një mesazh të fuqishëm paqeje dhe dinjiteti njerëzor. Por ajo që më shtyu të shkruaj disa rreshta ishte pikërisht analiza që ai i ka bërë indiferencës njerëzore..
“Kaq shumë indiferencë!- thotë Vizel..
Indiferenca është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja. Zemërimi, me raste, mund të jetë kreativ. Dikush shkruan një poezi të mrekullueshme, një simfoni, ose bën diçka speciale për njerëzimin sepse është i zemëruar nga padrejtësitë. Indiferenca nuk është kurrë e tillë. Edhe urrejtja, ndonjëherë, mund të shtyjë në përgjigje. Indiferenca nuk është përgjigje. Indiferenca nuk është fillimi, është fundi. Dhe si e tillë është gjithmonë mike e armikut, sepse i sjell përfitime agresorit, kurrë viktimës, dhimbja e së cilës shumëfishohet kur ndihet e harruar…Indiferenca nuk është kurrë një mëkat, është ndëshkim. Në vendin nga vij, shoqëria përbëhej nga tri kategori njerëzish: vrasësit, viktimat dhe indiferentët…”
Është gjithë ky përcaktim që të bën të kthjellohesh për të parë realitetin ku jetojmë se çfarë ndarje ka, sepse nuk mjafton vetëm të ketë luftë, vrasës dhe viktima që indiferenca të ndëshkojë. Indiferenca ndëshkon po aq dhimbshëm edhe në paqe e kjo është tepër mizore. Indiferenca në ditët e sotme nuk i përket njeriut,
qytetit, shtetit, kontinentit ajo ka përmasa katastrofike globale. E gjithë kjo ështē e frikshme sepse të merr frymën. Do të ketë vallë ndonjëherë përgjigje pyetja: Përse kaq shumë indiferencë?
…….
AGIM, ngjarja e një nate tipike në Palestinën e pushtuar nga britanikët që të mban në ankth deri në fund…