“Panairi ‘Jeto Natyrën’ ngjalli Çajupin”
O Çajup o vend i bukur
O bahçe e luleve
Uji i ftohtë i Bratit
Ilaçi i sëmundjeve
Këto vargje vijnë ndërmend kur je në fushën e Çajupit,në nje zonë me pamje piktoreske,që të servir bukurinë, freskinë,qetësinë,vetitë kuruese të ujit të kristaltë dhe të kulluar nga burimi i Bratit .Natyres kësaj fushe i dha jetë panairi tradicional i zhvilluar diten e djeshme.Ky event kishte si qëllim promovimin dhe nxjerrjen në pah të vlerave qe disponon zona e Zagories dhe asaj të Libohovës.Organizimi në fjalë përfshinte panairin tradicional ku mjaft artizanë ekspozuan prodhimet e tyre.Mund të veçohen gatimet tradicionale të Zagories si Petaniku dhe Revania nga duart e zonjës Katerina Telo nga fshati Hoshtevë ,qendismat dhe kostumet e bëra nga duarartat e artizaneve gjirokastrite si:Eli Zhulati,bimët medicinale plot erë të këndshme nga mali i Buretos nga Hektor Shehu si dhe glikote e Lunxhërisë nga duararta Mimoza Duka.
Reagimet e vizitorëve të pranishëm ishin mbresëlënëse dhe është rritur ndjeshëm kurioziteti për të marrë më tepër informacione lidhur me traditat kulturore dhe historike që mbart Zagoria dhe Libohova që janë aset i çmuar i trashëgimisë plot pasuri që ofron vendi ynë kryesisht në sektorët e artizanatit dhe kulinarise.Larmise së këtij aktiviteti i dha bukuri aseti më të cilën krenohet ndërkombëtarisht Shqipëria,me isopolifonine.Ishin grupet polifonike nga të gjitha trevat e jugut të vendit tonë si:Zagoria,Lunxhëria,Piluri,Grupi i Cfakes në Gjirokastër,ai i Djemve të Delvinës dhe grupi Antea.Pjesmarrja dhe performanca emocionuese e këtyre grupeve ngrohen spektatorët e pranishëm pavarësisht motit të freskët plot erë në fushën e Çajupit duke elektrizuar me tepër atmosferën e këtij aktiviteti.Risia gjatë këtij eventi ishte riaktivizimi i grupit polifonik të Zagories pas shumë vitesh i cili për shkaqe të ndryshme dhe largimit masiv të banorëve drejt emigrimit u ndërpre.Themeluesit e parë gjatë ekzistencës së këtij grupi gjatë viteve të mëparshme kanë qenë Jorgo Telo dhe Kiço Muçi ndërsa tani ky grup u ringrit falë përkushtimit dhe energjisë të një djali të ri,Mihal Kaçit i cili me plot vullnet dhe dëshirë po rikthen traditën shumë vjeçare që ka kënga polifonike e Zagories,pasuri që e lanë të parët dhe ka si qëllim përçimin e kësaj historie brez pas brezi e gjeneratë pas gjenerate.Mihali njëkohësisht ishte dhe pjesë e stafit organizativ ku koordinoi grupet pjesmarrëse dhe moderoi eventin isopolifonik të aktivitetit duke dhënë kontribut të veçantë për mbarëvajtjen e këtij organizimi.Grupi polifonik i ringritur i Zagories e nisi hapin e saj të parë më eventin e festivalit “Bëjke e Bardhë” në Pilur duke vijuar më pas më eventin e Çajupit dhe përgatiten për eventet e tjera duke vazhduar kulturën e lënë nga paraardhësit e cila nuk duhet të humbasë pasi është vetë histori dhe identitet për zonën.Fjala e përbashkët e të gjithë pjesmarrësve ishin mbresat që ka lënë ky aktivitet duke cituar në mënyrë këmbengulese që të zhvillohet çdo vit pasi në këtë event kanë ardhur dhe zagorite nga vende të tjera të Shqipërisë dhe kishin siç thonë dhe vetë shumë vite pa u shmallur me vendlindjen duke patur lidhje shpirtërore me të.Ky aktivitet shërbeu dhe si një mundësi promovimi dhe argëtimi, por edhe një hapësirë fantastike për të krijuar kontakte të domosdoshme për zhvillimin e mëtejshëm të një produkti dhe për të mësuar nga eksperiencat e tjetrit duke shkëmbyer histori të ndryshme suksesi.Per ecurinë e këtij panairi s’mund të lihen pa përmendur Bashkia Libohovë dhe shoqata Zagoria për organizimin e këtij eventi i cili u zhvillua për herë të parë në fushën e Çajupit.Ky vend u zgjodh për faktin se kjo zonë gjatë viteve të fundit është shnderruar në një nga atraksionet më të vizitueshme dhe të frekuentuara nga ana e turistëve vendas dhe të huaj.Fusha e Çajupit është një hapësirë ku fare thjesht zhvillohet turizmi malor.Tashme hapi i parë u ndermorr falë hapjes së disa kampingjeve te vogla ku ofrohet mikpritja e zonës dhe kulinaria e pasur tradicionale.Por vit pas viti duhet që zona në fjalë të marrë hov akoma më shumë që të fuqizohet zhvillimi i agroturizmit dhe ti rikthehet vëmendja e duhur që e meriton pasi ka prespektivë dhe të ardhme.Nuk duhet që për fushën e Çajupit të kujtohen vetëm nëpër evente aq herë sa bëhen ,duhet projekte strategjike nga organet përkatëse në koordinim e bashkëpunim me donatorë të ndryshëm dhe investime që të vihet përpara puna për shndërrimin e kësaj fushe,me një klimë e pamje për tu patur zili nga kushdo që e viziton,në një nga pikat dhe promotorët e progresit të agroturizmit dhe turizmit malor në vendin tonë.Natyra qe ofron fusha e Cajupit “mori jetë dhe gjallëri” falë eventeve që organizohen duke cituar panairin por jeta vazhdon dhe bëhet aktive vetëm në qoftë se i hedh sytë dhe i jep përkushtim,dashuri dhe vëmendjen e asaj natyre qe nuk duhet kurrsesi të lihet në harrese.